Johnson tha se Gjermania preferonte rënien e Ukrainës, merr përgjigje të ashpër
Ish-kryeministri i Britanisë Boris Johnson, ka folur rreth qëndrimeve të vendeve perëndimore para nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Në një intervistë për CNN Portugal, Johnson është shprehur se vendet perëndimore kishin qëndrime shumë ndryshe para nisjes së luftës, duke veçuar tre vende kryesore të BE-së, me komente që nuk janë pritur edhe aq mirë.
Johnson tha se, një nga këto vende Gjermania duket se preferonte një humbje të shpejtë të Ukrainës, në vend të një lufte të gjatë.
“Kjo gjë ishte një tronditje e madhe, ne mund të shihnim grupet taktike të batalionit rus të grumbulloheshin, por vende të ndryshme kishin perspektiva shumë të ndryshme. Pikëpamja gjermane ishte në një fazë se nëse do të ndodhte, gjë që do të ishte një katastrofë, atëherë do të ishte më mirë që e gjithë puna të përfundonte shpejt dhe që Ukraina të binte”, është shprehur Boris Johnson.
E pas këtyre komenteve, ka ardhur edhe reagimi i Gjermanisë, ku një zëdhënës i qeverisë Steffen Hebestreit, hodhi poshtë pretendimin e Boris Johnson se Berlini donte që Ukraina t'i dorëzohej Rusisë.
Duke folur para gazetarëve, Hebestreit tha se: “Unë jam i tunduar të flas në anglisht dhe të them se është marrëzi e plotë ajo që tha Boris Johnson”, duke shtuar se “Johnson ka një marrëdhënie të tij me të vërtetën”.
Veç Gjermanisë, ish-kryeministri britanik po ashtu ka folur për qëndrimin e Italisë, duke thënë se qeveria e ish-kryeministrit Mario Draghi nuk po mbështeste qëndrimin që shumë vende të tjera po merrnin për shkak të varësisë së Romës ndaj gazit rus. Ndërsa duke folur për qëndrimin e Francës, Johnson tha se ky vend nuk e besonte se Rusia do të sulmonte Ukrainën.
Ai më pas shtoi se, megithatë Perëndimi e kuptoi shpejt se me presidentin rus Vladimir Putinin nuk mund të zhvilloheshin negociata, prandaj nevojitej një front i bashkuar.
“Ajo që ndodhi ishte që të gjithë, gjermanët, francezët, italianët, të gjithë, Joe Biden e panë se thjesht nuk kishte asnjë opsion. Sepse nuk mund të negocioje me Putin. Kjo është pika kyçe.”
Si përfundim, Johnson ka vlerësuar presidentin ukrainas Volodomoyr Zelensky, për mënyrën se si ka qëndruar e drejtuar Ukrainën në këto kohë.

