Joe Biden thotë se planifikon të kandidojë për një mandat të dytë si president
Presidenti i ShBA-ve Joe Biden ka thënë të hënën se e ka në plan të kërkojë rizjedhjen si president në vitin 2024.
Komentet e Biden erdhën gjatë një interviste të rastësishme me transmetuesin amerikan NBC, ku tha se “planifikon të kandidojë përsëri”, por "ende nuk është gati ta shpallë zyrtarisht kandidaturën."
Presidenti amerikan edhe më parë kishte treguar qëllimin e tij për të kërkuar një mandat tjetër katërvjeçar.
Kujtojmë se gjatë një konference për shtyp nëntorin e kaluar, presidenti foli për dëshirën e tij për të kërkuar një mandat tjetër, por tha se do ta diskutonte me familjen e tij gjatë festave të fundvitit.
Ndërkohë, stafi i Shtëpisë së Bardhë kishte sugjeruar se një njoftim mund të vinte që në shkurt, por më pas shtyu datën e mundshme për në prill. E ndërsa aktualisht janë dy kandidatë të shpallur për nominimin presidencial të 2024-s nga Demokratët - autorja Marianne Williamson dhe aktivisti kundër vaksinave Robert Kennedy Jr, mungesa e ndonjë rivali më të fortë në partinë e tij i ka dhënë Bidenit luksin për të vendosur mbi kohën e çdo njoftimi zyrtar pa presion të madh.
Këshilltarët e tij kanë thënë se ai sheh një avantazh në krijimin e një kontrasti midis rolit të tij në qeverisjen e kombit, ndërkohë që kundërshtarët e tij të mundshëm republikanë angazhohen në fushatë partizane ose - në rastin e Donald Trump - merren me pasojat nga një padi penale.
Kujtojmë edhe se javën e kaluar, ish-presidenti Donald Trump, u deklarua i pafajshëm në një gjykatë në Manhattan për falsifikimin e të dhënave të biznesit.
Në moshën 80-vjeçare, Biden është tashmë presidenti më i vjetër në historinë e ShBA-së. Nëse ai fiton mandatin e dytë, në përfundim të tij do të jetë në moshën 86-vjeçare.

