Jinpingu thotë se askush nuk mund ta ndalë “ribashkimin” e Kinës me Tajvanin - NACIONALE

Jinpingu thotë se askush nuk mund ta ndalë “ribashkimin” e Kinës me Tajvanin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti kinez, Xi Jinping, tha të martën në fjalimin e Vitit të Ri se askush nuk mund ta ndalë “ribashkimin” e Kinës me Tajvanin, duke dhënë një paralajmërim të qartë për ato që Pekini i cilëson si forca pro pavarësisë brenda dhe jashtë ishullit me 23 milionë banorë.

“Njerëzit në dy anët e Ngushticës së Tajvanit janë një familje. Askush nuk mund t’i presë lidhjet e familjes sonë dhe askush nuk mund ta ndalë trendin historik të ribashkimit kombëtar” – tha Jinpingu në fjalimin e transmetuar në televizionin shtetëror CCTV, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në fjalimin e Vitit të Ri vitin e kaluar, presidenti kinez kishte thënë se “ribashkimi” i Kinës me Tajvanin është i pashmangshëm dhe se njerëzit në të dyja anët “duhet të jenë të lidhur me logjikën e qëllimit dhe shkëmbimit në madhështinë e përtëritjes së kombit kinez”.

Tensionet kanë mbetur të larta gjatë tërë vitit në Ngushticën e ndjeshme të Tajvanit, sidomos pasi Lai Ching-te, të cilin Pekini e cilëson “separatist”, u bë president i ishullit në maj.

Më herët këtë muaj, Kina bëri një grumbullim masiv të forcave detare përreth Tajvanit në Detin Jugor dhe në Detin Lindor të Kinës, pasi Lai u ndal në Haëaii dhe Guam të ShBA-së, duke nxitur kritika nga Pekini.

Kina, shtet që nuk ka hequr dorë kurrë nga përdorim i forcës për ta marrë kontrollin e Tajvanit, kreu dy valë të ushtrimeve ushtarake përreth ishullit këtë vit, duke thënë se ato ishin paralajmërim kundër “akteve separatiste” dhe u zotua për ndërmarrjen e masave shtesë, nëse është e nevojshme.

Shitja e armëve nga ShBA-ja në Tajvan gjithashtu kanë vazhduar që t’i tensionojnë lidhjet e Pekinit me Uashingtonin. Kina rregullisht i ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër lidhjeve ushtarake me Tajvanin dhe u ka vendosur sanksione furnizuesve ushtarakë dhe udhëheqësve ekzekutivë të tyre./Nacionale

Lajme të ngjashme