Jinpingu i thotë Bidenit se Tajvani është çështja më e rrezikshme në raportet mes dy vendeve
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i tha të mërkurën homologut amerikan, Joe Biden, gjatë takimit 4-orësh mes tyre se Tajvani është çështja më e madhe dhe më e rrezikshme në lidhjet mes dy fuqive botërore, sipas një zyrtari të lartë amerikan.
Zyrtari amerikan e citoi Jinpingun të ketë thënë se parapëlqimi i Kinës është për “ribashkim” paqësor me ishullin e Tajvanit, por se ai vazhdoi tutje, duke folur për kushtet në të cilat do të përdorej forca, raporton agjencia “Reuters”.
Sipas këtij zyrtari, presidenti kinez po mundohej të tregonte se Kina nuk është duke u përgatitur për pushtim masiv të Tajvanit, por kjo nuk e ndryshon qasjen e ShBA-së.
“Presidenti Xi... nënvizoi se kjo është çështja më e madhe, potencialisht më e rrezikshmja në marrëdhëniet ShBA – Kinë, u shpreh qartazi që, e dini, parapëlqimi i tyre është për ribashkim paqësor, por pastaj kaloi menjëherë te kushtet në të cilat do të mund të përdorej forca e mundshme”- u tha gazetarëve zyrtari amerikan, duke iu referuar komenteve të Jinpingut rreth Tajvanit.
Bideni u përgjigj duke e siguruar homologun kinez se Uashingtoni është i vendosur për ta ruajtur paqen në rajon.
“Presidenti Biden u përgjigj shumë qartë se pozicioni i vjetër i Shteteve të Bashkuara është... vendosmëria për t’i ruajtur paqen dhe stabilitetin”- tha zyrtari amerikan.
“Presidneti Xi u përgjigj: Shiko, paqja është... krejt në rregull, por në një pikë kemi nevojë që të lëvizim drejt një zgjidhjeje më përgjithësisht”- shtoi zyrtari.
Ministria e Jashtme e Tajvanit, duke reaguar pas takimit mes Bidenit dhe Jinpingut, tha se autoritetet e ishullit kurrë nuk janë munduar që të parashikojnë nëse ose kur Kina mund të sulmojë, por se janë duke u përqendruar në fuqizimin e mbrojtjes dhe në fitimin e përkrahjes ndërkombëtare.
Bideni dhe Jinpingu u takuan për herë të parë në një vit në Kaliforni për bisedime me qëllim të uljes së tensioneve mes dy fuqive në lidhje me konfliktet ushtarake, trafikimin e drogës dhe inteligjencën artificiale. Dy udhëheqësit thanë se shënuan “progres të vërtetë” gjatë samitit.
