Bota bëhet më e sigurt: ShBA-ja e Kina pajtohen për rifillimin e komunikimit mes ushtrive të tyre - NACIONALE

Bota bëhet më e sigurt: ShBA-ja e Kina pajtohen për rifillimin e komunikimit mes ushtrive të tyre

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë pajtuar për rifillimin e komunikimit mes ushtrive të dy ekonomive më të mëdha në botë në përpjekje për t’i zbutur tensionet, tha presidenti amerikan, Joe Biden.

“Jemi kthyer në komunikime të drejtpërdrejta, të hapura, të qarta”- tha kreu i Shtëpisë së Bardhë pas një takimi të rrallë me homologun kinez, Xi Jinping, të mërkurën në Kaliforni, raporton televizioni BBC.

Kjo qe hera e parë që dy udhëheqësit e fuqishëm shtetërorë u takuan sy më sy në më shumë se një vit.

Bideni tha, gjithashtu, se dy presidentët ishin pajtuar për të themeluar një linjë të drejtpërdrejtë të komunikimit me njëri-tjetrin.

Në një konferencë për gazetarë pas samitit, Bideni tha se mungesa e komunikimit është se “si aksidentet ndodhin” dhe shtoi se dy udhëheqësit tani “mund ta kapin telefonin dhe të dëgjohen drejtpërdrejt menjëherë”.

Kina e ndërpreu komunikimin ushtarak me Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, pasi kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, e vizitoi Tajvanin. Kina e cilëson ishullin si pjesë të territorit të saj dhe ka kërcënuar se do ta aneksojë atë edhe me forcë, nëse është e nevojshme.

Bideni tha se shumë mosmarrëveshje mes dy presidentëve vazhdojnë, por se bisedimet ishin “disa prej diskutimeve më konstruktive e produktive që i kemi pasur”.

Përpos paktit për rifillimin e komunikimit ushtarak, të dyja palët njoftuan disa marrëveshje të tjera në fusha që janë bërë burime tensioni rishtazi.

Këtu përfshihet ndërmarrja e hapave për ta penguar futjen e fentanilit në ShBA, që ka kontribuuar në rritjen e numrit të viktimave të mbidozës në këtë shtet.

Lajme të ngjashme