“Jemi të tmerruar”: OKB-ja thotë se vrasja e dy palestinezëve nga forcat izraelite duket si “ekzekutim jashtëgjyqësor” - NACIONALE

“Jemi të tmerruar”: OKB-ja thotë se vrasja e dy palestinezëve nga forcat izraelite duket si “ekzekutim jashtëgjyqësor”

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Kombet e Bashkuara thanë të premten se vrasja e dy burrave palestinezë në Bregun e pushtuar Perëndimor nga forcat izraelite të sigurisë një ditë më parë dukej se ishte “ekzekutim jashtëgjyqësor”.

Në pamjet e kapura nga televizioni Palestina, forcat izraelite të sigurisë shihen duke hapur zjarr në drejtim të dy burrave në qytetin Jenin, pasi ata dukej se ishin dorëzuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Burrat shihen duke dalë nga ndërtesa dhe duke i ngritur këmishët para se të shtriheshin në tokë në atë që dukej si dorëzim. Forcat izraelite më pas duket se i udhëzojnë burrat që të kthehen në ndërtesë para se t’i qëllojnë me armë.

“Jemi të tmerruar nga vrasja e pacipë e dy burrave palestinezë nga policia kufitare izraelite dje në Jenin në Bregun e pushtuar Perëndimor në një vrasje në dukje jashtëgjyqësore” – tha para gazetarëve në Gjenevë zëdhënësi i Zyrës për të Drejtat e Njeriut në OKB, Jeremy Laurence.

Ushtria dhe policia izraelite thanë të enjten se kishin nisur një hetim për të shtënat, duke shtuar se forcat kishin hapur zjarr drejt të dyshuarve që kishin dalë nga një ndërtesë.

Paralajmërim: Pamje të ndjeshme

Grupi militant palestinez, Xhihadi Islam, të premten pretendoi se njëri nga burrat e vrarë ishte një prej komandantëve të grupit, ndërsa tjetri luftëtar.

Vëllai i 37-vjeçarit Yousef që u vra, Mahmoud Asasa, tha: Akti ishte shumë i shëmtuar. Një person që i ngre duart dhe dorëzohet mund të arrestohet, por eliminimi i tij në një mënyrë kaq brutale është shumë i gabuar.”

Të shtënat ndodhën kur forcat izraelite po kryenin bastisje në Jenin, një ditë pasi kishin kryer një operacion ushtarak në qytetin tjetër afër tij, Tubas.

“Të gjithë e panë se ata nuk po paraqisnin rrezik ndaj forcave izraelite, por prapëseprapë ushtarët vendosën që t’i qëllonin dhe t’i vrisnin në vend. Ky ishte ekzekutim përballë kamerave” – tha Shai Parnes nga grupi izraelit për të drejtat e njeriut, B’tselem.

Ushtria dhe policia izraelite thanë në një deklaratë të përbashkët se dy burrat ishin persona në kërkim, të lidhur me një “rrjet terrori”./Nacionale

Lajme të ngjashme