Japonia i zbut rregullat e eksportit, përgatitet ta furnizojë ShBA-në me raketa “Patriot” - NACIONALE

Japonia i zbut rregullat e eksportit, përgatitet ta furnizojë ShBA-në me raketa “Patriot”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Japonia tha të premten se do të përgatitet për dërgimin e raketave të sistemit të mbrojtjes ajrore, “Patriot”, në ShBA pas rishikimit të udhëzimeve për eksportimin e armëve më herët këtë ditë. Kjo është zbutja e parë e rëndësishme e kufizimeve të eksportit të armëve në shtetin pacifist në nëntë vitet e fundit.

Ky njoftim vjen në kohën kur Japonia, shtet që për një kohë të gjatë ka pasur qëndrim kundër lejimit të eksportimit të armëve vdekjeprurëse, synon që ta fuqizojë industrinë e mbrojtjes në një mjedis gjithnjë më të tensionuar të sigurisë në rajonin e Indo-Paqësorit, raporton agjencia “Reuters”.

“Kjo mban domethënie të konsiderueshme në aspektin e fuqizimit të mëtejmë të aleancës Japoni – ShBA. Kjo do të kontribuojë jo vetëm për sigurinë e Japonisë, por edhe për paqen e stabilitetin në rajonin më të gjerë të Indo-Paqësorit”- tha sekretari i kabinetit qeveritar të Japonisë, Yoshimasa Hayashi, pas njoftimit.

Edhe pse masat e reja për eksportimin e armëve në Japoni prapë ia ndalojnë vendit dërgimin e armëve në shtete që janë në luftë, nga ky vendim mund të përfitojë tërthorazi Ukraina në luftën e saj kundër Rusisë, pasi ShBA-së i jepen kapacitete shtesë për t’i dhuruar Kievit ndihma ushtarake.

Një zyrtar qeveritar i Japonisë, që refuzoi të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se raketat do të përdoren për t’i mbushur rezervat e arsenalit të ShBA-së për sigurinë e Indo-Paqësorit.

Sistemi kundërajror “Patriot” është në mesin e armëve që Perëndimi ia ka dhuruar Ukrainës pas fillimit të pushtimit rus.

Sipas rregullave të mëparshme, Japonia mund të eksportonte vetëm pjesë të armëve, por jo edhe prodhime të kompletuara.

Lajme të ngjashme