Japonia dërgon për herë të parë një luftanije nëpër Ngushticën e Tajvanit
Një luftanije japoneze lundroi nëpër Ngushticën e Tajvanit mes Tajvanit dhe Kinës për herë të parë, sipas raportimeve në media japoneze.
Shkatërruesja “JS Sazanami” kaloi nëpër ngushticë nga veriu drejt jugut të mërkurën, e shoqëruar nga anije prej Australisë dhe Zelandës së Re, raporton televizioni BBC.
Anija ishte rrugës për të marrë pjesë në ushtrime ushtarake në Detin Jugor të Kinës, citohen të kenë thënë ministrat japonezë.
Kjo do të ishte lëvizje domethënëse nga Japonia, që mendohet se e kishte shmangur dërgimin e anijeve të saj nëpër Ngushticën e Tajvanit për të mos e zemëruar Kinën, e cila pretendon se ka sovranitet mbi ishullin me qeverisje demokratike.
As Japonia, as Tajvani, as Kina nuk e kanë komentuar zyrtarisht kalimin e anijes luftarake japoneze nëpër Ngushticën e Tajvanit.
Gazeta shtetërore kineze në gjuhën angleze, “Global Times”, duke cituar një burim të paidentifikuar, tha se ushtria kineze “kreu përcjellje dhe vëzhgim gjatë tërë rrjedhës [së anijeve] dhe e kishte situatën nën kontroll”.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj i kanë shtuar patrullimet për ta mbrojtur lirinë e lundrimit nëpër Ngushticën e Tajvanit, që është 180 kilometra e gjatë.
Me dekada, flota amerikane e paqësorit ka qenë forca e vetme detare e huaj që rregullisht ka kaluar transit nëpër Ngushticën e Tajvanit. Megjithatë, veprime të tilla rishtazi kanë bërë edhe Kanadaja, Australia, Britania e Franca. Para dy javëve, dy luftanije gjermane kaluan nëpër këtë ngushticë për herë të parë në disa dekada.
Ushtria kineze e akuzoi Gjermaninë për shtim të rreziqeve të sigurisë përmes lundrimit nëpër ngushticë më 13 shtator, por Berlini tha se veproi në përputhje me standardet ndërkombëtare./Nacionale