Izraelit i vriten edhe një ushtar e një polic
Ushtria izraelite njoftoi të enjten se një ushtar iu vra të mërkurën gjatë një sulmi me mortaja e raketa, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë Hamasi, ndaj një pozicioni ushtarak në komunitetin verior, Malkia.
Ushtari i vrarë u identifikua si Rreshter Haim Sabach, 20 vjeç, pjesëtar i Njësisë së 869-të Luftarake për Mbledhjen e Inteligjencës, nga Holoni.
Një ushtar tjetër u lëndua lehtë nga sulmi, shtoi ushtria izraelite, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Grupi libanez i përkrahur nga Irani, Hezbollah, e mori përgjegjësinë për hedhjen e raketave kundërtanke me drejtim dhe mortajave nga Libani në drejtim të pozicioneve ushtarake në zonën e Malkias.
Si kundërpërgjigje ndaj sulmit, ushtria izraelite tha se kishte kryer disa valë të sulmeve kundër pozicioneve të Hezbollahut në jug të Libanit.
Të mërkurën, Hezbollahu njoftoi për vdekjen e dy pjesëtarëve, ndërsa Xhihadi Islam Palestinez njoftoi për vdekjen e tre anëtarëve nga sulmet izraelite në jug të Libanit.
Në një rast tjetër, një oficer i lartë i Policisë Kufitare, që kishte pësuar lëndime kritike gjatë një beteje me palestinezë të armatosur gjatë një bastisjeje në Bregun Perëndimor gjatë fundjavës nuk iu bëri ballë plagëve të martën, thanë autoritetet.
Ai u identifikua si kryeinspektor Yitav Lev Halevi, 28 vjeç, komandant në njësinë elite kundër terrorizmit, Yamam.
Halevi ishte plagosur të shtunën, me 4 maj, gjatë një operacioni në qytezën e Bregut Perëndimor, Dayr al-Ghusun.
Pesë palestinezë të armatosur raportohet se u vranë gjatë bastisjes së Policisë Kufitare dhe ushtrisë izraelite.