Izraeli vret së paku 25 palestinezë që po prisnin për ndihma në Gaza - NACIONALE

Izraeli vret së paku 25 palestinezë që po prisnin për ndihma në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat dhe dronët izraelitë shkrepën zjarr drejt qindra palestinezëve që po i prisnin kamionët me ndihma në pjesën qendrore të Gazës të martën herët, duke vrarë të paktën 25 prej tyre, thanë dëshmitarët dhe spitalet palestineze.

Ushtria izraelite nuk komentoi menjëherë për këtë rast, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Spitali “Awda” në kampin e refugjatëve “Nuseirat”, i cili i pranoi viktimat, tha se palestinezët ishin duke i pritur kamionët në Rrugën “Salah al-Din”.

Dëshmitarët i thanë agjencisë “Associated Press” se forcat izraelite hapën zjarr, kur njerëzit po lëviznin drejt lindjes për t’iu afruar kamionëve që po vinin.

“Ishte masakër” – tha dëshmitari Ahmed Halawa. Sipas tij, tanket dhe dronët hapën zjarr drejt njerëzve, “madje edhe kur ne po iknim. Shumë njerëz ose u martirizuan, ose u plagosën.”

Hossam Abu Shahada, një dëshmitar tjetër, tha se dronët po fluturonin mbi atë zonë, fillimisht duke e vëzhguar turmën, pastaj pati të shtëna nga tanket dhe dronët, përderisa njerëzit po lëviznin drejt lindjes.

Lajme të ngjashme