Izraeli thotë se vrau pesë militantë që po paraqiteshin si personel i një organizate amerikane
Ushtria izraelite tha se ka vrarë pesë militantë të armatosur në Rripin e Gazës të cilët po pretendonin se punonin për organizatën bamirëse amerikane, Kuzhina Qendrore Botërore (WCK), e cila i dënoi të gjithë ata që paraqiten si personel humanitar.
Ushtria tha se vërtetoi se këta pesë persona nuk ishin të lidhur me organizatën humanitare para se t’i vriste përmes një sulmi ajror javën e kaluar, kur ata ishin veshur me rroba të kësaj organizate dhe paraqisnin kërcënim ndaj trupave izraelite, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Terroristët qëllimisht i vendosën emblemat dhe veshën jelekë të verdhë në përpjekje për ta fshehur aktivitetin e tyre dhe për ta shmangur shënjestrimin, duke i shfrytëzuar në mënyrë cinike statusin dhe besimin e dhënë ndaj organizatave të ndihmave” – thuhet në njoftimin e ushtrisë izraelite.
Kuzhina Qendrore Botërore tha të martën vonë se ishte kontaktuar nga autoritetet izraelite dhe kishte konfirmuar se automjeti dhe personat nuk ishin të lidhur me të. “Ne dënojmë fuqishëm këdo që paraqitet si WCK ose si punëtor tjetër humanitar, pasi kjo i rrezikon civilët dhe punëtorët e ndihmave” – tha organizata në një deklaratë të publikuar në rrjetin X.
Në dhjetor, WCK-ja kishte shkarkuar nga puna dhjetëra palestinezë që punonin për të, pasi Izraeli kishte thënë se të paktën 62 pjesëtarë të stafit të saj ishin të lidhur me militantët.
Ushtria izraelite nuk e publikoi identitetin e personave të vrarë në incidentin e javës së kaluar. WCK-ja nuk dha më shumë hollësi deh nuk tregoi nëse njerëzit e vënë në shënjestër kanë qenë më parë të lidhur me organizatën.
Nga një sulm izraelit në prill të vitit të kaluar u godit një autokolonë e tri automjeteve dhe u vranë shtatë pjesëtarë të stafit të WCK-së, përfshirë disa punëtorë të huaj ndihmash. Izraeli kishte kërkuar falje, duke thënë se kishte bërë një gabim./Nacionale