Izraeli thotë se po nxjerr kufoma nga varret në Gaza për të zbuluar nëse janë të pengjeve
Forcat izraelite dëmtuan rëndë një varrezë në Khan Younis të Gazës këtë javë, duke nxjerrë trupa në atë që ushtria izraelite i tha televizionit CNN se ishte pjesë e një kërkimi për mbetje të pengjeve të kapura nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit.
Në pamje të zonës së varrezës shihen shenjat e buldozerëve dhe varret e dëmtuara e të shkatërruara, ndërsa mbetjet njerëzore të lëna të shpërfaqura, pasi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kryen operacione në atë pjesë, raporton televizioni CNN.
Si përgjigje ndaj kërkesës së televizionit për koment rreth dëmtimit të varreve, ushtria izraelite that ë enjten se shpëtimi i pengjeve dhe kthimi i trupave të tyre është njëri nga misionet kyçe të saj në Gaza, prandaj janë nxjerrë trupa nga varret.
“Procesi i identifikimit të pengjeve, i kryer në një vend të sigurt e alternativ, siguron kushte profesionale optimale dhe respekt për të ndjerët”- i tha televizionit një zëdhënës i ushtrisë izraelite, duke shtuar se trupat që përcaktohen se nuk janë të pengjeve “kthehen me dinjitet e respekt”.
Sipas së drejtës ndërkombëtare, një sulm i qëllimshëm ndaj një varreze mund të përbëjë krim lufte, përpos nëse bëhet nën rrethana të kufizuara në lidhje me vendin që bëhet objektiv ushtarak.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit i thanë televizionit CNN se “kur pranohen inteligjencë kritike ose të dhëna operacionale”, ushtria kryen “operacione precize të shpëtimit të pengjeve në vende specifike, ku informata tregon se mund të ndodhen trupa të pengjeve”.
“Nëse nuk do të ishte vendimi i dënueshëm i Hamasit për të marrë peng burra, gra, fëmijë e foshnja izraelite, nevoja për kërkime të tilla për pengjet tona nuk do të ekzistonte”- tha ushtria izraelite.
Raportimet për marrjen e kufomave nga forcat izraelite në varreza kanë qarkulluar në rrjete sociale. Njerëzit i kanë shpërndarë këto raportime, të zemëruar nga veprimet. Kjo është hera e parë që ushtria izraelite pranon se ka nxjerrë kufoma nga varret.