Izraeli thotë se është në rrugë të mirë për t’i arritur objektivat kundër Iranit
Raketa iraniane ranë në qytete të mëdha izraelite të hënën, ndërsa kryeministri i Izraelit tha se vendi i tij është rrugës për t’i eliminuar “kërcënimet” nga objektet bërthamore dhe raketore në Iran. Numri i viktimave civile u rrit në të dyja anët.
Pas katër ditëve konflikt mes armiqve rajonalë, Irani tha se Kuvendi ishte duke përgatitur një projektligj për t’u larguar nga Traktati për Mospasurim (bërthamor), duke shtuar se Teherani mbetet kundër zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Jemi në rrugë për t’i arritur dy objektivat tona kryesore: eliminimin e kërcënimit bërthamor dhe eliminimin e kërcënimit raketor” – tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, para disa ushtarëve në bazën ajrore “Tel Nof”.
Besohet se Izraeli ka arsenal të konsiderueshëm bërthamor, por as nuk e pohon, as nuk e mohon këtë. Izraeli është shteti i vetëm në Lindjen e Mesme që nuk e ka nënshkruar Traktatin e Mospasurimit (bërthamor).
Ushtria izraelite, e cila i ka goditur kapacitetet bërthamore dhe udhëheqësinë ushtarake të Iranit me sulme ajrore, tha të hënën se kishte vrarë katër zyrtarë të lartë të inteligjencës, përfshirë kreun e njësisë së inteligjencës në Rojat Revolucionare.
Irani gjithmonë ka thënë se programi i tij bërthamor është paqësor, edhe pse Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, pjesë e OKB-së, deklaroi javën e kaluar se Teherani është duke i shkelur detyrimet që dalin nga Traktati i Mospasurimit.
Para agimit të hënën, raketat iraniane i goditën qytetet Tel-Aviv dhe Haifa në Izrael, duke vrarë të paktën tetë njerëz e duke shkatërruar shtëpi. Kjo e nxiti ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Israel Katz, që të thoshte se banorët e Teheranit “do ta paguajnë çmimin së shpejti”./Nacionale