Izraeli thotë se po e përgatit dërgimin e inkubatorëve për foshnjat në Gaza - NACIONALE

Izraeli thotë se po e përgatit dërgimin e inkubatorëve për foshnjat në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite thotë se është në procesin e “bashkërendimit për transferimin e inkubatorëve nga një spital në Izrael për në Gaza”.

Bashkë me një deklaratë të publikuar në rrjete sociale, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit publikuan një fotografi ku shihet një ushtare duke shkarkuar një inkubator nga një furgon në një parking veturash. Nuk dihet se ku është bërë kjo fotografi, raporton televizioni BBC.

Njoftimi i forcave izraelite erdhi pas paralajmërimeve të reja të punëtorëve shëndetësorë palestinezë se foshnjat e porsalindura po vuajnë nga mungesa e furnizimeve në spitalet e Gazës – sidomos nga mungesa e energjisë elektrike, pa të cilën pajisje të caktuara – inkubatorët – nuk mund të funksionojnë.

Të dielën, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se spitali më i madh në Gaza, “Al-Shifa”, ishte ndalur së funksionuari dhe se gjendja brenda tij ishte “e rëndë dhe e rrezikshme”.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, ka thënë se vendi i tij do të ofrojë asistencë për evakuimin e foshnjave në vështirësi dhe dërgimin e tyre në një “spital më të sigurt”, edhe pse nuk u bë e qartë nëse inkubatorët po dërgoheshin në spitalin “Al-Shifa”.

Stafi i spitalit ka thënë se zhvendosja e foshnjave në mënyrë të sigurt kërkon pajisje të sofistikuara.

Lajme të ngjashme