Izraeli sulmon katër pikëkalime kufitare mes Sirisë e Libanit
Izraeli kreu sulme ndaj katër pikëkalimeve kufitare në kufirin mes Libanit dhe Sirisë të mërkurën, duke thënë se ato po përdoreshin nga grupi militant i mbështetur nga Irani, Hezbollah, për të kontrabanduar armë.
Izraeli dhe Libani u pajtuan për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2024, duke u dhënë fund luftimeve që kishin zgjatur më shumë se një vit mes Izraelit dhe Hezbollahut dhe që kishin kulmuar me sulme izraelite që e kishin dëmtuar rëndë grupin. Nga ajo kohë, të dyja palët kanë shkëmbyer akuza për shkelje të paktit të armëpushimit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Libani është ballafaquar me presion në rritje nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli për ta çarmatosur Hezbollahun dhe udhëheqësit e këtij vendi kanë frikë se Izraeli mund t’i përshkallëzojë sulmet në masë dramatike për t’i shtyrë ata që ta konfiskojnë më shpejt arsenalin e Hezbollahut.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se nga një sulm tjetër izraelit ndaj fshatit jugor libanez, Qennarit, u plagosën 19 njerëz.
Ushtria izraelite kishte lëshuar një paralajmërim të mërkurën për banorët e ndërtesave të caktuara në fshatrat jugore libaneze, Qennarit, Kfour dhe Jarjouaa para sulmeve të planifikuara ndaj asaj që e ka përshkruar si infrastrukturë të Hezbollahut.
“Edhe një herë, Izraeli po ndjek një politikë të agresionit sistematik duke kryer sulme ajrore ndaj fshatrave të pabanuara libaneze, në një përshkallëzim të rrezikshëm që drejtpërdrejt i vë në shënjestër civilët” – shkroi në rrjetin X presidenti i Libanit, Joseph Aoun.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Hezbollahu./Nacionale