Izraeli rrëzon një raketë nga Gaza, rriten tensionet me Jordaninë - NACIONALE

Izraeli rrëzon një raketë nga Gaza, rriten tensionet me Jordaninë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Izraeli rrëzoi të hënën një raketë të hedhur nga Rripi i Gazës, tha ushtria e këtij vendi, pasi tensionet për xhaminë “Al-Aksa” në Jerusalem nxitën retorikë të ashpër pro-palestineze nga Jordania dhe përpjekje për ndërmjetësim nga Shtetet e Bashkuara.

Asnjë grup në Gaza nuk e ka marrë përgjegjësinë për hedhjen e raketës, që ndodhi pas paralajmërimeve të Hamasit për hakmarrje për sjelljen e Izraelit përreth zonës së xhamisë “Al-Aksa”.

Brenda disa orëve, forcat izraelite goditën me sulme ajrore kampe të përdorura nga Hamasi dhe nga një grup tjetër në Gaza, thanë burimet palestineze. Ushtria izraelite tha se në shënjestër ishte edhe një objekt për prodhimin e armëve. Askush nuk është lënduar.

Nga e premtja, përreth xhamisë “Al-Aksa” ka pasur përleshje mes palestinezëve, që gjuanin me gurë, dhe policisë izraelite, që po i shpërndan njerëzit me forcë, duke ngjarë me skenat e dhunës së vitit të kaluar, që çuan në luftë.

Këto tensione i ndërlikojnë marrëdhëniet e sigurisë të Izraelit me Jordaninë, e cila është kujdestare e xhamisë “Al-Aksa”.

Mbreti Abdullah i Jordanisë i tha sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, se politika izraelite për xhaminë “Al-Aksa” i minon seriozisht gjasat që ky vend të bëjë paqe me palestinezët. Jordania gjithashtu e thirri në takim ushtruesin e detyrës së ambasadorit të Izraelit për qortim.

Me një retorikë më të ashpër, kryeministri jordanez, Bisher al-Khasawneh, në kuvend tha: “Duhet t’i çmoj ata që po hedhin gurë ndaj të gjithë atyre zionistëve që e përdhosin xhaminë Al-Aksa me mbrojtjen e qeverisë pushtuese izraelite.”

Pas deklaratës së kryeministrit jordanez, reagoi kryeministri izraelit, Naftali Bennett. Përmes një videoje të publikuar pas komenteve të kryeministrit jordanez, ai tha: “I shoh me seriozitet deklaratat që e fajësojnë Izraelin për dhunën nga e cila ne po bëhemi subjekt. Disa po e inkurajojnë hedhjen e gurëve. Kjo shërben si shpërblim për nxitësit, më së shumti për Hamasin, që po përpiqen të nxisin dhunë këtu në Jerusalem.”

Në Uashington, Departamenti i Shtetit tha se zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar biseda në telefon me izraelitë, palestinezë dhe përfaqësues arabë gjatë fundjavës në përpjekje për ta parandaluar eskalimin e tensioneve në Jerusalem.

Lajme të ngjashme