Izraeli pritet ta bllokojë anijen protestuese të nisur drejt Gazës me Greta Thunbergun - NACIONALE

Izraeli pritet ta bllokojë anijen protestuese të nisur drejt Gazës me Greta Thunbergun

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forca detare izraelite pritet që të bllokojë një mision aktivistësh të profilit të lartë, të cilët po lundrojnë drejt Gazës për ta sfiduar bllokadën e Izraelit, nëse anija u afrohet ujërave territoriale të Izraelit ditëve të ardhshme.

Në mesin e figurave që ndodhen në anijen me emrin “Madleen” janë: aktivistja e njohur për klimën, Greta Thunberg, aktori i “Game of Thrones”, Liam Cunningham, anëtarja franko-palestineze e Parlamentit Evropian, Rima Hassan, të cilës i është ndaluar hyrja në Izrael, si dhe aktivisti Brazilian, Thiago Avila, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Disa zyrtarë izraelitë të mbrojtjes i thanë kësaj gazete se janë duke e vëzhguar rrugën e lundrimit të anijes, përderisa ajo po bën një devijim për të marrë emigrantë sudanezë që po mundohen ta kalojnë Detin Mesdhe.

Megjithatë, nëse anija e vazhdon lundrimin drejt Gazës, ajo do të pengohet nga forca detare izraelite, thonë zyrtarët. Barka mund të dërgohet në portin e Ashdodit ose mund të lihet në det, raportoi më herët këtë javë transmetuesi publik izraelit, “Kan TV”.

Ushtria izraelite, duke iu përgjigjur një pyetjeje, tha se është “duke e zbatuar bllokadën detare të sigurisë ndaj Rripit të Gazës dhe është e përgatitur për një gamë të gjerë skenarësh që do t’i trajtojë në përputhje me udhëzimet e nomenklaturës politike”./Nacionale

Lajme të ngjashme