Izraeli kontrabandoi sisteme “Starlink” në Iran, thotë ish-kryeministri izraelit
Ish-kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, pranoi të martën se vendi i tij kishte kontrabanduar resiverë të kompanisë “Starlink” në Iran për t’u dalë në ndihmë protestuesve anti-qeveritarë, edhe pse shtoi se qeveria e kryeministrit Benjami Netanyahu dështoi që ta vazhdonte këtë plan.
Bennett, i cili ka shërbyer si kryeministër i Izraelit nga viti 2021 deri më 2022, tha para një audience në Samitin Ndërkombëtar të Politikave JNS në Jerusalem se ai kishte nisur një “proces të sigurimit dhe kontrabandimit të dhjetëra mijëra receptorëve të Starlinkut në Iran që do ta lejonin vazhdimësinë e internetit dhe rrjeteve sociale”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kompania “Starlink”, në pronësi të asaj “SpaceX” të miliarderit Elon Musk, ofron lidhje satelitore të internetit. Irani në të kaluarën i ka akuzuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për kontrabandimin e këtyre pajisjeve për ta minuar sigurinë e këtij shteti. “Starlink”-u nuk është i licensuar që të operojë në Iran, por Musku ka thënë më parë se shërbimi është aktiv atje.
Bennett tha se qëllimi i këtyre pajisjeve ishte që protestuesve t’u mundësohej bashkërendimi dhe të rrëzohej qeveria iraniane.
“Fatkeqësisht, qeveria aktuale dhe e paaftë izraelite e ndërpreu këtë dhe, kur ndodhën protestat, ajo infrastrukturë nuk ishte atje” – tha ish-kryeministri.
Zyra e Netanyahut nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve rreth komenteve të Bennett-it, ndërsa kompania “SpaceX” nuk ishte e qasshme për koment jashtë orarit të punës në ShBA./Nacionale