Izraeli i thotë “secilit në qytetin Gaza” që të largohet drejt jugut - NACIONALE

Izraeli i thotë “secilit në qytetin Gaza” që të largohet drejt jugut

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite u ka thënë të gjithë banorëve të qytetit Gaza që të evakuohen në jug të Rripit të Gazës, mes operacioneve të shpeshtuara në veri.

Në fletushkat e hedhura nga aeroplanët udhëzohet “secili në qytetin Gaza” që të largohet nga ajo që përshkruhet si “zonë e rrezikshme e luftimeve” përmes rrugëve të sigurta të përcaktuara – të shënuara si dy rrugë që çojnë te strehimoret në Deir al-Balah dhe al-Zawaida.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se janë thellësisht të shqetësuara për urdhrat e evakuimit që po jepen. Kjo është hera e parë që nga fillimi i luftës që të gjithë banorëve të qytetit Gaza u kërkohet evakuimi, raporton televizioni BBC.

Gjatë dy javëve të kaluara, forcat izraelite janë rifutur në disa distrikte ku ushtria beson se luftëtarët e Hamasit dhe Xhihadit Islam Palestinez janë rigrupuar nga fillimi i vitit.

Hamasi ka thënë se veprimet e përtërira të Izraelit në qytet rrezikojnë që t’i nxjerrin nga binarët bisedimet për marrëveshje të mundshme për armëpushim dhe lirim të pengjeve, të cilat rinisën të mërkurën në Katar. Në bisedime po marrin pjesë shefat e inteligjencës të Egjiptit, Shteteve të Bashkuara, Izraelit si dhe kryeministri i Katarit.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Hossam Badran, i tha agjencisë AFP se Izraeli “po mundohet që t’u bëjë trysni bisedimeve përmes shpeshtimit të operacioneve bombarduese, zhvendosjes dhe kryerjes së masakrave”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e theksoi përkushtimin e vendit të tij për një marrëveshje për aq gjatë sa “ruhen vijat e kuqe”.

Vlerësohet që më shumë se çereku i popullsisë 1-milionëshe është ende duke banuar në qytetin Gaza.

Disa banorë u panë duke u evakuuar në jug, pasi ushtria izraelite hodhi fletushka atje duke u bërë thirrje që të largoheshin. Një zyrtar izraelit i tha më vonë BBC-së se bëhet fjalë për rekomandim e jo udhëzim.

Megjithatë, disa banorë të tjerë nuk ishin të gatshëm që të largoheshin. “Nuk do të largohem nga [qyteti] Gaza. Nuk do ta bëj gabimin e çmendur që të tjerët e kanë bërë. Raketat izraelite nuk e bëjnë dallimin mes veriut e jugut” – tha banori 45-vjeçar, Ibrahim al-Barbari.

“Nëse vdekja është fati im dhe fati i fëmijëve të mi, ne do të vdesim me nder dhe dinjitet në shtëpitë tona” – shtoi ai.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se kishte pranuar thirrje nga disa banorë që nuk mund të largoheshin nga shtëpitë për shkak të intensitetit të bombardimeve.

“Të dhënat që po vijnë nga qyteti Gaza tregojnë se banorët po jetojnë në kushte tragjike. Forcat pushtuese [izraelite] vazhdojnë që të godasin distrikte banimi dhe të zhvendosin njerëz nga shtëpitë e tyre e strehimoret për refugjatë” – tha kjo organizatë./Nacionale

Lajme të ngjashme