Izraeli i shton bombardimet në Gaza para bisedimeve për armëpushim në Shtëpinë e Bardhë
Palestinezët në pjesën veriore të Gazës raportuan për njërën nga netët më të vështira nga bombardimet izraelite në disa javë, pasi ushtria lëshoi urdhra për evakuim masiv të hënën, ndërsa zyrtarët izraelitë priten në Uashington për një shtytje të re për armëpushim nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.
Një ditë pasi presidenti Trump bëri thirrje për përfundimin e luftës 20-muajshe, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar rreth një armëpushimi në Gaza, për Iranin dhe marrëveshjet e mundshme më të gjera diplomatike rajonale, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sidoqoftë, në terren, në enklavën palestineze nuk pati shenja se luftimet po qetësoheshin.
“Shpërthimet nuk u ndalën kurrë. Ata bombarduan shkolla e shtëpi. Dukeshin si tërmete” – tha Salah, 60 vjeç, baba i pesë fëmijëve, nga Qyteti Gaza. “Në lajme dëgjojmë se një armëpushim është afër, në terren shohim vdekje dhe dëgjojmë shpërthime” – shtoi ai.
Tanket izraelite lëvizën në pjesët lindore të periferisë Zeitoun të Qytetit Gaza dhe sulmuan disa zona në veri, ndërsa aeroplanët bombarduan të paktën katër shkolla pas urdhërimit të qindra familjeve që po strehoheshin brenda tyre që të largoheshin, thanë banorët.
Të paktën 25 njerëz u vranë nga sulmet izraelite të hënën, thanë autoritetet shëndetësore, përfshirë dhjetë njerëz të vrarë në Zeitoun.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite, e cila thotë se militantët palestinezë janë të rrënjosur në mesin e civilëve. Grupet militante mohojnë një gjë të tillë./Nacionale