Izraeli i përgjigjet ashpër Erdoganit për deklaratën mbi Hamasin
Përderisa gjatë ditës së sotme presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se Hamasi “nuk është një organizatë terroriste, por një grup çlirimtar”, ka ardhur edhe reagimi nga Izraeli, duke e kundërshtuar fuqishëm Erdoganin.
“Izraeli kundërshton me gjithë zemër fjalët e ashpra të presidentit turk për organizatën terroriste Hamas,”- ishte shkrimi i zëdhënësit të ministrisë së Jashtme izraelite në rrjete sociale.
Tutje ministri ka shkruar se kjo ishte një “përpjekje e presidentit turk për të mbrojtur organizatën terroriste”, duke shtuar se “fjalët e tij nxitëse nuk do të ndryshojnë tmerret që ka parë e gjithë bota”.
Kujtojmë se më herët, gjatë një takimi me deputetët e partisë së tij, Erdogan tha se Izraeli “mund ta shohë Hamasin si një organizatë terroriste së bashku me Perëndimin. Perëndimi ju ka shumë borxh. Por Turqia nuk ju ka borxh asgjë. Hamasi nuk është një organizatë terroriste, është një grup çlirimtar, muxhahidin, që mbron tokat e tyre.”
Tutje Erdogan kërkoi nga Izraeli që të dëgjojë thirrjet për paqe, duke kërkuar ndalim të menjhërshëm të sulmeve ndaj Gazas.
Ai po ashtu njoftoi se kishte anuluar një udhëtim të planifikuar në Izrael, duke thënë se kryeministri Benjamin Netanyahu kishte “keqpërdorur vullnetin tonë të mirë”.
Fjalët e Erdogan janë dënuar edhe nga zëvendëskryeministri i Italisë, duke sugjeruar që ministria e jashtme italiane të thërrasë ambasadorin e Turqisë në Romë.
