Izraeli godet Libanin jugor në kundërpërgjigje të sulmit me raketa
Forcat izraelite kanë qëlluar dhjetëra predha artilerie në Libanin jugor, pasi një raketë u lëshua nga kjo anë dhe goditi një zonë brenda Izraelit.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite postoi në Twitter se forcat e artilerisë bombarduan zonat e hapura në Libanin jugor nga erdhi raketa, si dhe një objektiv infrastrukturor.
Sipas mediave libaneze, forcat paqeruajtëse të OKB-së (UNIFIL) në jug të vendit lëshuan sirena përgjatë disa pozicioneve të saj pranë kufirit, ndërsa Ushtria Libaneze dërgoi trupa.
Shefi i Misionit të UNIFIL, komandanti Aroldo Lázaro bëri thirrje për "qetësi dhe përmbajtje" në një postim në Twitter.
Incidenti përgjatë kufirit verior të Izraelit vjen në një kohë të tensioneve të rritura midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Askush nuk ka marrë përgjegjësi për hedhjen e raketës, por Gjenerali Ran Kochav, zëdhënës ushtarak, i tha Radios së Ushtrisë Izraelite se ai supozonte se raketa ishte lëshuar nga militantët palestinezë në Liban, të nxitur nga ngjarjet e fundit në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Gaza.
Ai tha se përgjigja e Izraelit kishte për qëllim "për t'u bërë të qartë të gjithë atyre që janë në anën tjetër, qofshin fraksionet palestineze, Hamasi, qeveria e Libanit apo Hezbollahu, se ne nuk do të lejojmë që të cenohet sovraniteti izraelit," tha ai.
Izraeli dhe grupi militant i Hezbollahut të Libanit luftuan një luftë të njëmujore në vitin 2006. Zona kufitare ka mbetur e tensionuar, por kryesisht e qetë që atëherë.
Grupe të vogla palestineze janë gjithashtu aktive në Liban dhe janë dyshuar për disa sulme me raketa në vitet e fundit.