Izraeli e vret zyrtarin e lartë shëndetësor të Gazës, Hani al-Jaafarawi
Një sulm ajror izraelit ndaj një klinike mjekësore në qytetin Gaza e la të vrarë drejtorin e Departamentit të Ambulancave dhe Emergjencave në Gaza, Hani al-Jaafarawi, tha Ministria e Shëndetësisë e enklavës palestineze, ndërsa ushtria izraelite tha se me këtë sulm është vrarë një komandant i lartë i Hamasit.
Ministria e Shëndetësisë tha se vrasja e këtij zyrtari e çoi në 500 numrin e pjesëtarëve të stafit mjekësor të vrarë nga zjarri izraelit nga 7 tetori i vitit të kaluar. Të paktën 300 të tjerë deri më tani janë ndaluar, raporton agjencia “Reuters”.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se në shënjestër të sulmit ishte Mohammad Salah, për të cilin tha se ishte përgjegjës për zhvillimin e armatimit të Hamasit.
“Salahu ishte pjesë e një projekti për të zhvilluar armatim strategjik për organizatën terroriste të Hamasit dhe ai komandoi një numër të skuadrave terroriste të Hamasit që punonin në zhvillimin e armëve” – tha ushtria izraelite.
Në Rafah, afër kufirit me Egjiptin, forcat izraelite, të cilat e kanë marrë kontrollin e pjesëve lindore, jugore dhe qendrore të qytetit, e vazhduan operacionin drejt zonave perëndimore e veriore, thanë banorët, duke thënë se kishte luftime të ashpra.
Të dielën, banorët kishin thënë se tanket izraelite kishin avancuar në sakin e kampit “Mawasi” për persona të zhvendosur në veriperëndim të Rafahut, duke detyruar shumë familje që të iknin drejt veriut për në Khan Younis dhe në Deir Al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës, i vetmi qytet i enklavës ku nuk janë futur ende tanket.
Fotografitë: "Reuters"