Izraeli e ka përshpejtuar ndërtimin e vendbanimeve në Jerusalemin Lindor nga fillimi i luftës në Gaza - NACIONALE

Izraeli e ka përshpejtuar ndërtimin e vendbanimeve në Jerusalemin Lindor nga fillimi i luftës në Gaza

2 javë më parë

nga NACIONALE

Qeveria izraelite e ka përshpejtuar ndërtimin e vendbanimeve në Jerusalemin Lindor. Mbi 20 projekte me mijëra njësi banimi janë miratuar ose janë çuar përpara që nga fillimi i luftës në Gaza para gjashtë muajve, sipas dokumenteve të planifikimit.

Ministritë dhe zyrat brenda qeverisë izraelite qëndrojnë prapa të gjitha projekteve më të mëdha dhe më të diskutueshme, nganjëherë në bashkëpunim me grupe nacionaliste djathtiste që kanë të kaluar me përpjekje për të dëbuar palestinezë nga shtëpitë e tyre në disa pjesë të qytetit, raporton gazeta “The Guardian”.

Miratimi i shpejtë ose ndërtimi i vendbanimeve që janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare pritet që t’i dëmtojnë edhe më tej marrëdhëniet e Izraelit me administratën e presidentit Biden të ShBA-së, thekson gazeta britanike.

“Trajtimi i shpejtë i këtyre planeve ka qenë i pashembullt në gjashtë muajt e fundit” – tha Sari Kronish nga organizata izraelite për të drejtat e njeriut, “Bimkom – Planifikuesit për të Drejtat e Planifikimit”. “Përderisa shumë trupa qeveritarë u mbyllën ose kishin funksion të kufizuar pas 7 tetorit, autoritetet e planifikimit vazhduan që të plugonin, duke i çuar përpara këto plane në shpejtësi të pashembullt” – shtoi ajo.

Vendbanimet e reja do të ofrojnë shtëpi për popullsinë hebraike shumicë në pjesë të Jerusalemit që ishin aneksuar në mënyrë të njëanshme nga Izraeli më 1980 dhe me gjasë do të jenë pengesë për çfarëdo përpjekjeje për të formuar shtet funksional palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Lufta në Gaza ka sjellë fokus të ri mbi një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez siç parashikohet në akordet e Oslos. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe rishtazi u kanë vendosur sanksioneve kolonëve të caktuar në Bregun Perëndimor për shkak të dhunës kundër palestinezëve.

Autoritetet planifikuese izraelite kanë miratuar dy vendbanime të reja që nga fillimi i luftës, miratimi i parë në Jerusalemin lindor në më shumë se një dekadë. Zgjerimi i një vendbanimi me siguri të lartë të quajtur Kidmat Zion, në zemrën e lagjes palestineze Rasa al-Amud, në periferinë lindore të qytetit, gjithashtu pritet të çohet përpara pas komenteve nga publiku.

Një vendim për vendbanimin Kidmat Zion është marrë vetëm 48 orë pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Qeveria u bë zyrtarisht pjesë e projektit gjatë një dëgjimi publik të planifikimit para një muaji, sipas uebfaqes së autoriteteve të planifikimit.

Lajme të ngjashme