Izraeli do t’u japë forcave siriane 48 orë që të operojnë në Sweida, thotë një zyrtar izraelit
Izraeli do t’i lejojë “forcat e sigurisë së brendshme” të Sirisë që të hyjnë në provincën Sweida për 48 orë, tha një zyrtar izraelit, duke i përmendur trazirat e vazhdueshme në jug të Sirisë.
Izraeli ka thënë se nuk do t’i lejojë forcat qeveritare siriane që të vendosen në jug të Damaskut, gjë që mund të jetë arsye pse i quajti “forca të sigurisë së brendshme” në një deklaratë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Forcat qeveritare siriane u tërhoqën nga qyteti Sweida natën e së mërkurës, duke thënë se kishin arritur një armëpushim me forcat lokale druze.
Megjithatë, luftimet në këtë qytet duket se kanë vazhduar. Një komandant ushtarak i luftëtarëve beduinë i tha agjencisë “Reuters” se luftëtarët e forcave të tij kishin nisur një ofensivë të re kundër druzëve.
Sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, grup me bazë në Britaninë e Madhe, 594 njerëz janë vrarë gjatë dhunës së ditëve të fundit në pjesën jugore të Sirisë.
Ky grup tha se në mesin e të vrarëve janë 300 pjesëtarë të pakicës druze, përfshirë 146 luftëtarë dhe 154 civilë, 83 prej të cilëve “u ekzekutuan në mënyrë jashtëgjyqësore” nga forcat qeveritare, raporton televizioni BBC.
Të paktën 255 pjesëtarë të personelit të forcave qeveritare dhe 18 luftëtarë beduinë gjithashtu u vranë, ndërsa tre civilë beduinë u ekzekutuan pa gjyq nga luftëtarët druze, tha më tej organizata që e ka përcjellë konfliktin në Siri.
15 pjesëtarë të personelit qeveritar sirian u vranë nga sulmet ajrore izraelite, të cilat Izraeli tha se i kreu për t’i mbrojtur druzët dhe për t’i detyruar forcat qeveritare që të tërhiqeshin nga Sweida./Nacionale