Izraeli do ta mbyllë ambasadën në Irlandë shkaku i përkrahjes së rastit për gjenocid në GjND
Izraeli ka njoftuar se do ta mbyllë ambasadën e vet në Irlandë, duke e cituar vendimin e Dublinit javën e kaluar për ta mbështetur rastin e paraqitur nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në të cilin Izraeli akuzohet për gjenocid.
Vendimi u njoftua nga ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, i cili tha se kjo masë u mor për shkak të “politikave ekstreme anti-izraelite” nga Qeveria e Irlandës, duke e përmendur vendimin e Dublinit për t’iu bashkuar rastit të Afrikës së Jugut në GjND, raporton gazeta “The Guardian”.
Kryeministri irlandez, Simon Harris, reagoi në rrjetin X: “Ky është një vendim thellësisht për keqardhje nga qeveria e Netanyahut. Unë absolutisht e hedh poshtë pohimin se Irlanda është kundër Izraelit. Irlanda është pro paqes, pro të drejtave të njeriut dhe pro të drejtës ndërkombëtare.”
“Irlanda dëshiron zgjidhje me dy shtete dhe që Izraeli e Palestina të jetojnë në paqe e siguri. Irlanda gjithmonë do ta ngrejë zërin për të drejtat e njeriut dhe për të drejtën ndërkombëtare. Askush nuk do të na shpërqendrojë nga kjo” – shtoi ai.
Izraeli nuk ka marrë masa të ngjashme ndaj shteteve të tjera, përfshirë Egjiptin, Spanjën dhe Meksikën, të cilat gjithashtu i janë bashkuar rastit të paraqitur nga Afrika e Jugut.
Njoftimi erdhi pasi numri i palestinezëve të vdekur në Gaza arriti në mbi 45 mijë në luftë.