Italia thotë se Irani e ka liruar nga paraburgimi gazetaren Cecilia Sala
Gazetarja italiane, Cecilia Sala, është liruar nga një burg iranian dhe është duke udhëtuar me aeroplan drejt atdheut, tha të mërkurën një zëdhënës i kryeministres italiane, Giorgia Meloni, disa javë pas arrestimit të saj gjatë raportimit në Teheran.
Sala është reportere e të përditshmes italiane “Il Foglio”. Gazeta tha se gazetarja po mbahej në burgun “Evin”, pasi ishte ndaluar në mesin e dhjetorit gjatë mbulimit të ngjarjeve në “një shtet që ajo e njeh dhe e do”, raporton televizioni CNN.
Të mërkurën, zyra e Melonit tha: “Aeroplani që është duke e sjellë gazetaren Cecilia Sala në shtëpi u nis para pak minutave nga Teherani.”
“Duke iu falënderuar punës intensive në kanale diplomatike dhe të inteligjencës, bashkëvendësja jonë është liruar nga autoritetet iraniane dhe është duke u kthyer në Itali” – thuhet më tej në deklaratë.
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, i njoftoi prindërit e gazetares për lajmin gjatë një telefonate të mërkurën në mëngjes, sipas deklaratës.
Kompania mediale italiane, “Chora Media”, ku gjithashtu punon Sala, tha se ajo ishte larguar nga Roma më 12 dhjetor “me një vizë valide për gazetarë dhe me mbrojtjet e një gazetareje në detyrë”.