Italia pritet të bëhet me kryeministre kundër imigrantëve që ka parti me rrënjë neofashiste - NACIONALE

Italia pritet të bëhet me kryeministre kundër imigrantëve që ka parti me rrënjë neofashiste

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zgjedhjet parlamentare të 25 shtatorit në Itali mund të hyjnë në histori, duke ia dhënë vendit kryeministren e parë grua në krye të qeverisë më djathtiste që nga Lufta e Dytë Botërore.

Reuters

Partia nacionaliste “Fratelli d’Italia” e zonjës Giorgia Meloni kishte marrë vetëm 4 për qind të votave më 2018, por pritet të marrë rreth 25 për qind të votave të dielën dhe të formojë aleancë me parti konservatore për të siguruar shumicë të pastër parlamentare.

“Në Itali është kjo ideja se i kemi provuar të gjithë të tjerët, prandaj ta provojmë atë tash”, tha Wolfango Piccoli, bashkëdrejtues i kompanisë konsultative për rreziqe politike, “Teneo”.

Nëse Meloni me gjuhë të ashpër shënon sukses, ajo do të ballafaqohet me një varg sfidash, përfshirë rritjen e kostos së energjisë, borxhin e madh publik, recesionin e mundshëm dhe konfliktin gjithnjë më të rrezikshëm në Ukrainë.

Gruaja 45-vjeçare nga Roma, e cila ka premtuar shtypje të imigracionit dhe ulje të taksave, gjithashtu duhet të plotësojë një vend të madh të paraardhësit.

Kryeministri në largim, Mario Draghi, i respektuari gjerësisht ish-drejtor i Bankës Qendrore Evropiane, shihej si figurë garancie nga investitorët ndërkombëtarë, por dha dorëheqje në korrik pas një përçarjeje në qeverinë e unitetit kombëtar.

Ndryshe nga udhëheqësit e partive të tjera kryesore, Meloni refuzoi që t’i bashkohej koalicionit të Draghi-t dhe, në vend të kësaj, popullariteti i saj u rrit nga ulësja në opozitë, ku ajo i kundërshtoi masat e dhimbshme të qeverisë për ta luftuar pandeminë e koronavirusit.

“Meloni është komunikuese e mrekullueshme, por ballafaqohet me kufizime të konsiderueshme ekonomike dhe nuk ka shumë përvojë, prandaj ndoshta nuk do të shijojë muaj të gjatë të mjaltit”, tha Piccoli.

Rrënjët neofashiste

Fushata zgjedhore është zhvilluar nën hijen e një vere përvëluese, me pak shenja për interesim të votuesve dhe pa debate televizive mes udhëheqësve të partive.

Blloku i djathtë i ka dhënë premtimet e vjetra për ulje të taksave, ulje të moshës për të dalë në pension dhe parandalim të arritjes së imigrantëve në Itali me barka nga Afrika Veriore.

Lëvizja “5 Yjet” është zotuar se do t’i mbrojë përfitimet e mirëqenies për të varfrit, mesazh që ka gjetur më shumë hapësirë në pjesën jugore me të ardhura më të ulëta, ku udhëheqësit e partive po e synojnë ditëve të fundit për ta fituar përkrahjen e numrit të madh të votuesve të pavendosur.

Partia Demokratike, grupi kryesor i qendrës, vazhdimisht ka paralajmëruar se zgjedhja e Meloni-t është e rrezikshme për shkak të prejardhjes neofashiste të partisë së saj dhe lidhjeve me kryeministrin nacionalist hungarez, Viktor Orban, që nga BE-ja është akuzuar për abuzim të sundimit të ligjit.

Meloni e ka minimizuar të kaluarën e saj të së djathtës ekstreme, duke thënë se grupi i saj është forcë e përgjithshme, e ngjashme me Partinë Konservatore të Britanisë, dhe e përkrah fuqishëm Ukrainën në luftën kundër Rusisë./Nacionale

Lajme të ngjashme