Deputeti ukrainas e do Kosovën në Këshillin e Evropës, pa Asociacionin si kusht - NACIONALE

Deputeti ukrainas e do Kosovën në Këshillin e Evropës, pa Asociacionin si kusht

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka shpresë se Kosova do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Vota në Asamblenë Parlamentare ishte historike dhe tani duhet ta përfundojmë këtë punë. Mendoj se Komiteti i Ministrave do ta ftojë zyrtarisht Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, thotë zoti Goncharenko.

“Kosova e meriton këtë, Kosova i përket botës së lirë. Asaj i duhet ndihma jonë për zhvillimin e vlerave si vend i ri, si demokraci e re. Asaj i duhet ekspertiza e Këshillit të Evropës. Kjo nuk ka të bëjë me debatet politike, ka të bëjë me dy milionë njerëz, të cilët e meritojnë të jenë pjesë e organizatës më të madhe në botë, e cila lufton për të drejta të njeriut, sundim të ligjit, demokraci - për vlerat thelbësore për të gjithë ne”, thotë tutje ai.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se ‘Serbia duhet ta pranojë faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe të krijojë marrëdhënie fqinjësie me të’.

“Nëse nuk heq dorë nga kjo qasje, Serbia do të vazhdojë të jetojë në varfëri dhe në revanshizëm, “duke u shfrytëzuar nga Rusia, Irani dhe vende të tjera që duan të ndezin flakë në Ballkan”, thotë Goncharenko.

Sa i përket mundësisë që Asociacioni i komunave serbe, të jetë kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ai thotë:

Nuk e di se çfarë do të ndodhë në Komitetin e Ministrave. Nuk është fusha ime e përgjegjësisë. Unë jam anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe vendimi ynë është i qartë: Ne i bëjmë thirrje Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën”, thotë ai.

“Por, disa deputetë e kanë përmendur Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin duhet ta formojë Kosova. A mendoni se ai mund të bëhet pengesë?”, e pyet REL deputetin ukrainas dhe ai vazhdon:

Shpresoj të mos bëhet pengesë”.

Ai ka folur edhe për dy trende, që sipas tij po i sheh në Serbi. Njëri – me përpjekjen për ndërtimin e një vendi demokratik dhe tjetri, me rindërtimin e perandorisë serbe.

“Dhe, e kam thënë hapur se epoka e perandorive në Evropë ka marrë fund.

Të gjitha këto ndjenja revanshiste dhe imperialiste që një pjesë e politikanëve serbë po përpiqen t’i promovojnë në Serbi, t’i forcojnë në Serbi, janë një pengesë e madhe për zhvillimin e vetë Serbisë.

Andaj, Serbia duhet të pajtohet me faktin se nuk mund të jetë më perandori. Duhet të jetë një vend normal dhe demokratik. Në këtë mënyrë, do të ishte pjesë e botës së lirë. Në mënyrë tjetër, do të vazhdojë të jetojë në varfëri, në revanshizëm, duke u shfrytëzuar nga Rusia, Irani dhe vende të tjera që duan të ndezin flakë në Ballkan”, thotë ai.

Lajme të ngjashme