Ishte plagosur në mars në Ukrainën e pushtuar, vdes gazetari rus Nikita Goldin
Një gazetar rus, i cili ishte plagosur muajin e kaluar gjatë një sulmi ukrainas me artileri, ka vdekur në spital nga plagët e pësuara, njoftoi të enjten mediumi në të cilin ai punonte.
Nikita Goldin, i cili punonte në televizionin ushtarak “Zvezda”, ishte pjesë e një grupi që ishte sulmuar më 24 mars në një pjesë të rajonit të Luhanskut të kontrolluar nga forcat ruse, në verilindje të Ukrainës.
Gjashtë persona vdiqën nga ai sulm, përfshirë dy gazetarë të tjerë dhe vozitësin e tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Goldini, i cili gjithashtu shkruante për gazetën e përditshme ushtarake, “Krasnaya Zvezda”, ishte dërguar në një spital ushtarak në Moskë, por vdiq nga plagët gati një muaj pas sulmit.
Ministria e Jashtme e Rusisë e ka akuzuar Ukrainën se qëllimisht i kishte vënë në shënjestër gazetarët në këtë sulm.
Nga të dhënat e ofruara më herët nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, thuhet se të paktën 15 gazetarë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.
Pothuajse tërë territori i rajonit të Luhanskut është kapur nga forcat ruse, përderisa Moska po i vazhdon përpjekjet për ta marrë nën kontroll rajonin më të gjerë lindor të Donbasit, njëra nga zonat më të industrializuara të Ukrainës./Nacionale