Ishiba i Japonisë shpall zgjedhje të parakohshme ende pa u emëruar kryeministër
Vetëm tri ditë pasi u zgjodh kryetar i partisë në pushtet në Japoni, kryeministri në ardhje, Shigeru Ishiba, i njoftoi planet për zgjedhje të parakohshme më 27 tetor.
Ishiba, 67 vjeç, të premten e zëvendësoi kryeministrin në largim, Fumio Kishida, si kryetar i Partisë Demokratike Liberale (LDP), pas një gare të ngushtë ku ai siguroi më shumë vota se tetë kandidatë të tjerë, raporton televizioni BBC.
Pasi LDP-ja e ka shumicën parlamentare, Ishiba do të votohet nga deputetët të martën për t’u bërë zyrtarisht kryeministër i vendit.
“Është me rëndësi që administrata e re të gjykohet nga populli sa më shpejt që është e mundshme” – tha Ishiba të hënën në një konferencë për gazetarë në Tokio.
Zgjedhjet e reja, që pritet të mbahen më shumë se gjashtë muaj para afatit të zakonshëm, do të vendosin se cila parti do ta kontrollojë dhomën e ulët të Kuvendit.
Më herët të hënën, Ishiba e filloi përzgjedhjen e zyrtarëve qeveritarë e partiakë që do të garojnë me të në zgjedhje, përfshirë dy ish-kryeministrat me ndikim, Taro Aso, si këshilltar, dhe Yoshihide Suga, si nënkryetar.
Pasi e fitoi kreun e partisë të premten, Ishiba tha se do ta rivitalizojë ekonominë e vendit, do t’i adresojë rreziqet e sigurisë dhe do ta pastrojë LDP-në, përkrahja popullore për të cilën ka rënë muajve të fundit pas skandaleve publike dhe konflikteve të brendshme.
Vend qendror në mesin e skandaleve zënë zbulimet në lidhje me nivelin e ndikimit qe Kisha e Unifikimit ka brenda partisë, si dhe dyshimet që fraksione të partisë kanë raportuar shifra më të ulëta të financimit gjatë disa viteve./Nacionale