Ish-zyrtari i NATO-s: Polonia rrugës për t’u bërë superfuqi ushtarake e BE-së - NACIONALE

Ish-zyrtari i NATO-s: Polonia rrugës për t’u bërë superfuqi ushtarake e BE-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Polonia i ka rritur në masë dramatike shpenzimet në fushën e mbrojtjes viteve të fundit, nga më pak se 2 për qind të GDP-së më 2014 në 4 për qind këtë vit, sipas statistikave zyrtare të NATO-s. Kjo e bën Poloninë shpenzuesen më të madhe në raport me GDP-në, madje duke e vënë mbi ShBA-në. Më shumë se 50 për qind e investimit është ndarë për pajisje të reja, hulumtime e zhvillim.

Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, tani profesor i strategjisë dhe sigurisë në Universitetin e Exeter-it në Angli, thotë se roli i Polonisë brenda NATO-s ka ndryshuar dramatikisht në dekadën e fundit, raporton televizioni CNN.

“Nëse e shikoni NATO-n e para dhjetë vjetëve, para se Putini t’i aneksonte Krimenë dhe Ukrainën, fokusi kryesor i NATO-s ishin Lindja e Mesme, Afganistani dhe këto lloje të misioneve në të cilat Polonia mori pjesë, por vetëm në një shkallë të vogël”- i tha ai televizionit CNN. “Por nga viti 2014, kur NATO-ja e kthen fokusin në Evropën Qendrore dhe Lindore... rëndësia e Polonisë në aleancë është rritur në mënyrë masive”- shtoi ai.

“Nëse qëndrojnë në rrugë me të gjitha ato plane të ndryshme të furnizimit, ata do të jenë superfuqi ushtarake e BE-së dhe NATO-s”- tha Shea. “Përmes një përllogaritjeje, nëse ata i blejnë të gjitha tanket nga ShBA-ja, tanket “Abrams”, dhe tanket që i kanë porositur nga Koreja Jugore, shtuar modernizimin e atyre që i kanë për momentin, do të kenë më shumë tanke se Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar së bashku”- shtoi ish-zyrtari i NATO-s.

Polonia është bërë aleate kyçe e Ukrainës, duke e bërë të ndjeshëm këtë vend. Shumica e pajisjeve ushtarake perëndimore dhe furnizime të tjera arrijnë në Ukrainë përmes Polonisë dhe ky shtet është duke strehuar 1,6 milion refugjatë ukrainas, sipas Kombeve të Bashkuara.

“Një pjesë e madhe e trajnimeve për ushtarët ukrainas janë duke ndodhur në Poloni dhe polakët kanë ndërtuar edhe disa qendra riparimi, ku tanket “Leopard” mund të rregullohen dhe të kthehen përsëri, dhe shumë ushtarë ukrainas, që janë plagosur, trajtohen në spitale polake”- shtoi Shea.

Lajme të ngjashme