Ish-sekretari Pompeo emërohet në bordin këshillëdhënës të një kompanie ukrainase të mbrojtjes - NACIONALE

Ish-sekretari Pompeo emërohet në bordin këshillëdhënës të një kompanie ukrainase të mbrojtjes

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Një prodhues i rëndësishëm ukrainas i dronëve dhe raketave tha të hënën se e kishte emëruar ish-sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Mike Pompeo, në bordin e vet këshillëdhënës të formuar rishtazi.

Kompania “Fire Point”, dronët “FP-1” të së cilës kanë qenë jetikë për sulmet me rreze të gjatë të forcave ukrainase ndaj Rusisë, tha se “po e rreshtojmë kornizën tonë qeverisëse me standard ndërkombëtare udhëheqëse” përmes emërimit të Pompeos, i cili kishte shërbyer nga viti 2018 deri më 2021 në administratën e parë të presidentit amerikan, Donald Trump, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ky prodhues, i cili gjithashtu e ka zhvilluar raketën me drejtim “Flamingo”, është subjekt i një hetimi nga agjencitë ukrainase kundër korrupsionit për çmime të fryra, sipas gazetës “Kyiv Independent”.

“Njohuritë strategjike të sekretarit Pompeo dhe të kuptuarit e thellë të çështjeve globale do të jenë të paçmueshme, përderisa ne vazhdojmë të rritemi dhe t’i forcojmë praktikat tona qeverisëse” – thuhet në deklaratën e kompanisë, ku nuk përmendet hetimi.

Kompania “Fire Point” planifikon që të ndërtojë një fabrikë për karburant raketash në Danimarkë muajve në vijim, sipas ministrit të Mbrojtjes të Danimarkës.

Luftimi i ryshfetit dhe përmirësimi i qeverisjes janë jetike për Kievin, kur po kërkon më shumë mbështetje ushtarake e financiare nga Perëndimi në luftën kundër forcave ruse dhe në përpjekjet e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme