Ish-presidenti Trump: Jack Smithi ma dërgoi një letër, duan të më arrestojnë
Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka thënë gjatë ditës së sotme se është njoftuar që është shënjestër e një hetimi për trazirat e 6 janarit dhe për përpjekjet që të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Me gjuhë të ashpër si zakonisht, Trumpi ka thënë që Jack Smithi – ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale në Hagë që përndiqte Hashim Thaçin – i ka dërguar një letër të dielen në mbrëmje duke i treguar se është shënjestër e hetimeve.
“I çmenduri Jack Smith, prokurori i Departamentit të Drejtësisë së Joe Bidenit, më dërgoi një letër (e përsëris, ishte e diele në mbrëmje!) duke thënë që isha SHËNJESTËR i hetimeve të Jurisë së Madhe për 6 janarin, duke më dhënë mua një kohë shumë të shkurtër katër ditore për të raportuar para jurisë, gjë që gati gjithnjë nënkupton arrestim dhe aktakuzë,” – është shprehur z. Trump në llogarinë e tij në Truth Social, raporton NBC.
Sipas ish-presidentit amerikan kjo efektivisht nënkupton që Departamenti i Drejtësisë do të bëjë një padi të tretë, duke e akuzuar dhe arrestuar atë.
Trumpi shtoi se ai është kundërshtari numër 1 politik i Joe Bidenit që po e dominon atë në garën për president të Amerikës.
Nuk është ende e qartë se cilat janë akuzat ndaj ish-presidentit amerikan ose nëse edhe dikush tjetër e ka marrë një letër të tillë.
Çka është letra e shënjestrimit?
Letra e shënjestrimit nga prokurorët federalë për Donald Trumpin tregon që prokurorët janë të fokusuar në veprimet e ish-presidentit në hetimin kriminal në përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020.
Rregulat e Departamentit të Drejtësisë lejojnë prokurorët që të njoftojnë subjeketet për hetimin kur bëhen shënjestra të tij. Ato njoftime nuk kërkohen, megjithatë thotë CNN, por prokurorët kanë diskrecion për t’i njoftuar ata ose jo.
Një letër e shënjestrimit është shenjë e qartë se prokurori special Jack Smith është afër që të bëjë padi ndaj Trumpit, megjithëse nuk është e qartë se me çfarë lloj akuzash ai mund të përballej.
I shënjestruari e ka mundësinë që të ofrojë prova apo të dëshmojë para jurisë së madhe nëse zgjedh për ta bërë një gjë të tillë. Ideja është që ata mund t’i thonë diçka jurisë për të shmangur padinë.

