Ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe, në gjendje të rëndë pas sulmit me armë
Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, raportohet se është në gjendje kritike për jetën, pasi u qëllua me armë gjatë kohës kur po mbante një fjalim zgjedhor të premten në perëndim të Japonisë.
Ai është dërguar me helikopter në spital, por zyrtarët thanë se Abe nuk po merrte frymë dhe zemra i është ndalur, raportona agjencia “Associated Press”.
Zyrtari i departamentit lokal të zjarrfikësve, Makoto Mirmoto, tha se Abe është në arrest kardiak dhe pulmonar.
Sekretari i kabinetit qeveritar, Hirokazu Matsuno, u tha gazetarëve se policia e ka arrestuar të dyshuarin për sulm në vendin e ngjarjes. “Një akt barbar si ky është absolutisht i pafalshëm, pavarësisht nga arsyet, dhe ne e dënojmë atë fuqishëm”, tha Matsuno.
Transmetuesi publik japonez, NHK, transmetoi pamje ku Abe shihej duke u rrëzuar në rrugë, ndërsa disa truproja u panë duke vrapuar drejt tij. Raportohet se ish-kryeministri u qëllua pak minuta pasi filloi të fliste afër një stacioni të trenit në qytetin perëndimor japonez, Nara.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida, që është pjesë e së njëjtës parti, është rrugës për në Tokio nga vendi që e kishte planifikuar për të bërë fushatë, Yamagata. Matsuno tha se të gjithë ministrat do të kthehen nga udhëtimet e tyre zgjedhore për në Tokio./Nacionale