Ish-këshilltari i Trupit pranon se e ka ndihmuar planifikimin e puçeve të huaja
John Bolton, sh-këshilltar për siguri kombëtare në administratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, tha të martën se ai ka dhënë ndihmë për planifikimin e puçeve në vende të tjera.
Në një intervistë për televizionin CNN, ai e refuzoi pretendimin se sulmi ndal Capitol-it, më 6 janar 2021, ishte puç i përgatitur me kujdes nga ish-presidenti Trump. “Kjo nuk është mënyra se si Donald Trump-i i bën gjërat. Është lëvizje nga një ide te tjetra, një plan dështon, vjen tjetri”, tha ai, shkruan gazeta amerikane, Axios.
“Përfundimisht, ai i lëshoi protestuesit në Capitol. Sa për këtë, nuk ka dyshim. Si dikush që ka ndihmuar për planifikimin e puçeve, jo këtu, por në vende të tjera, kjo kërkon shumë punë dhe kjo s’është ajo që ai e ka bërë”, shtoi ish-zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Ndonëse ai tha se nuk do të futet në hollësi për shtetet për të cilat ka ofruar ndihmë që të kryhen puce, theksoi se ka shkruar në librin e tij për përpjekjet që t’i jepet fund pushtetit të Nicolas Maduro-s në Venezuelë, “që doli të mos jenë të suksesshme – jo që ne kishim të bënim aq shumë me të”.
“Por pashë se çfarë u nevojitet që një opozitë të përpiqej për të rrëzuar një president të zgjedhur ilegalisht dhe ata dështuan. Nocioni se Donald Trump-i ishte përgjysmë kompetent sa opozita venezuelase, është qesharak”, tha Bolton.
Në vitin 2020, ish-këshilltari i Trump-it e botoi librin e famshëm, “The Room where it happened”, në të cilin shkroi kritika të ashpra për shefin e Shtëpisë së Bardhë, duke e përshkruar si komandant suprem “të çrregullt” dhe “të painformuar në mënyrë magjepsëse”.
Ish-presidenti e kishte sulmuar publikimin e librit, duke e cilësuar “përpilim të gënjeshtrave dhe tregimeve të fabrikuara, të gjitha me qëllim që unë të dukem keq.”
“Shumë nga deklaratat qesharake, që ai m’i atribuon mua, nuk janë bërë kurrë, shpikje e pastër. Vetëm po mundohet që të hakmerret për shkarkimin e tij si këlysh i sëmurë që është”, kishte shkruar ish-presidenti Trump më 2020, përcjell Nacionale.
Në shtator të vitit 2019, Trump-i kishte njoftuar përmes një postimi në Twitter se ka kërkuar nga John Bolton-i që të japë dorëheqje nga posti i këshilltarit për siguri kombëtare, duke theksuar se ai nuk pajtohej fuqishëm me disa sugjerime të Bolton-it.