Irani var në litar tre burra të akuzuar se kishin spiunuar për Izraelin
Irani thotë se ka ekzekutuar tre burra të akuzuar se kishin spiunuar për Izraelin, një ditë pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi mes këtyre dy shteteve.
“Idris Ali, Azad Shojai dhe Rasoul Ahmad Rasoul, të cilët u përpoqën që të importonin pajisje në vend për të kryer vrasje, u arrestuan dhe u gjykuan për… bashkëpunim në favor të regjimit Zionist”- tha sistemi gjyqësor, duke iu referuar Izraelit.
“Dënimi u zbatua këtë mëngjes… dhe ata u varën” – thuhet më tej në njoftim, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Ekzekutimi i të dënuarve u bë në qytetin Urmia, afër kufirit me Turqinë, tha sistemi gjyqësor, duke i publikuar fotografitë e tre burrave në uniforma të kaltra të burgut.
Teherani rregullisht njofton për arrestim dhe ekzekutim të agjentëve të dyshuar për bashkëpunim me shërbime të huaja të inteligjencës, sidomos me ato të Izraelit.
Pas shpërthimit të luftimeve mes Izraelit e Iranit më 13 qershor, Teherani u zotua për gjyqe të shpejta për personat e arrestuar nën dyshimin për bashkëpunim me armikun e përbetuar.
Autoritetet iraniane edhe të dielën e të hënën kryen ekzekutime të burrave të akuzuar se ishin agjentë të shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad.
Sipas disa organizatave për të drejtat e njeriut, Irani është shteti i dytë në botë për nga numri i ekzekutimeve, pas Kinës./Nacionale