Irani thotë se s’ka shenja që helikopteri i rrëzuar i Raisit është sulmuar
Helikopteri me të cilin po udhëtonte presidenti i ndjerë iranian, Ebrahim Raisi, u kaplua nga zjarri pak kohë pas rrëzimit në një mal dhe nuk pati shenja se ishte sulmuar, raportuan mediat shtetërore, duke i cituar hetuesit ushtarakë.
Deklarata e Shtabit të Përgjithshëm, që është ngarkuar me hetimin e rrëzimit të helikopterit, u lexua në televizionin shtetëror të enjten vonë. Në deklaratën e parë rreth rrëzimit nuk u fajësua ndonjë palë, por u tha se më shumë hollësi do të jepen pas hetimeve të mëtejme, raporton agjencia “Associated Press”.
Nga rrëzimi i helikopterit të dielën mbetën të vdekur Raisi, ministri i Jashtëm dhe gjashtë persona të tjerë.
Në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm thuhet se komunikimet mes kullës së kontrollit dhe ekuipazhit të helikopterit para rrëzimit nuk përmbajnë asgjë të dyshimtë.
Më tej, në deklaratë thuhet se komunikimi i fundit i helikopterit të rrëzuar ishte mes tij dhe dy helikopterëve të tjerë që po e shoqëronin, rreth 90 sekonda para rrëzimit.
Shtabi i Përgjithshëm tha se nuk ka shenja se ndonjë objekt e ka goditur helikopterin dhe se rruga e tij e fluturimit nuk kishte ndryshuar.