Irani thotë se mund t’i japë fund ndalimit të posedimit të armëve bërthamore - NACIONALE

Irani thotë se mund t’i japë fund ndalimit të posedimit të armëve bërthamore

1 vit më parë

nga NACIONALE

Debati bërthamor brenda Iranit ka gjasa që të ndryshojë drejt posedimit të armëve bërthamore, nëse Perëndimi e zbaton kërcënimin për rivendosjen e të gjitha sanksioneve të OKB-së, ka thënë kryediplomati iranian.

Seyed Abbas Araghchi tha në një intervistë se Irani tashmë i kishte kapacitetin dhe dijen për të ndërtuar armë bërthamore, por shtoi se ato nuk përbëjnë pjesë të strategjisë së sigurisë. Ai gjithashtu tha se Teherani ishte i përgatitur për ta vazhduar furnizimin e Hezbollahut me armë në Liban, raporton gazeta “The Guardian”.

Zyrtarët perëndimorë do të shqetësohen nga paralajmërimi i ministrit iranian rreth rivendosjes së sanksioneve, të cilët ishin larguar, kur Irani e kishte nënshkruar marrëveshjen e vitit 2015 për kufizimin e aktiviteteve të veta bërthamore.

Araghchi u emërua ministër i Jashtëm nga presidenti reformist iranian, Masoud Pezeshkian, i cili është zgjedhur këtë vit me premtimin për ta përmirësuar ekonominë e vendit duke ndjekur marrëdhënie të përmirësuara me Perëndimin.

Ai foli në Lisbonë para një takimi mes negociatorëve iranianë e evropianë të premten në Gjenevë, të cilin e përshkroi si diskutim për të parë nëse ka ndonjë rrugëdalje nga ngërçi. Ai pranoi se ishte pesimist për takimin, duke thënë se nuk ishte i sigurt që Irani ishte duke folur me palën e duhur.

Aranchi tha se Irani mbetet brenda kornizave të traktatit kundër shtimit bërthamor dhe ende kërkon bashkëpunim. “Ne nuk kemi synim që të shkojmë përtej 60 për qind [të pasurimit] tani për tani dhe kjo është vendosmëria jonë për momentin” – tha ministri iranian.

Sidoqoftë, ai la të kuptohej se angazhimi i Iranit me Perëndimin rreth programit të tij bërthamor nuk është i garantuar. Sipas ministrit, nëse shtetet evropiane i rivendosin sanksionet kundër Iranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, “atëherë ne kemi bindur secilin në Iran se, po, doktrina juaj ka qenë e gabuar”.

Lajme të ngjashme