Irani thotë se i ka sulmuar forcat kurde iraniane në Irak - NACIONALE

Irani thotë se i ka sulmuar forcat kurde iraniane në Irak

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ushtria iraniane ka thënë se e ka vënë në shënjestër selinë qendrore të forcave kurde iraniane në pjesën veriore të Irakut, duke i shtuar sulmet ndaj rajoneve kurde në Iran e Irak.

Ushtria tha se sulmoi “grupe kurde që janë kundër revolucionit në Kurdistanin irakian me tri raketa”. Një person u vra dhe tre të tjerë u lënduan nga sulmet e së martës dhe të mërkurës, ka konfirmuar televizioni BBC.

Teherani i ka shpeshtuar sulmet ndaj grupeve kurde iraniane në Irak në kohën e raportimeve se presidenti amerikan, Donald Trump, dëshiron që ato t’i bashkohen luftës kundër Iranit, kur sulmet amerikane e izraelite po vazhdojnë.

Partitë opozitare kurde iraniane në Irak i kanë mohuar raportimet se disa prej forcave të tyre e kanë kaluar kufirin dhe kanë hyrë në Iran.

“Kjo nuk është e vërtetë. Mos e besoni. As një peshmerga [luftëtar] nuk ka lëvizur. Askush nuk lëviz vetëm” – tha Hanna Hussein Yazdan Pana nga Partia për Lirinë e Kurdistanit (PAK).

Sipas saj, gjashtë grupe opozitare kurde, të cilat rishtazi formuan një koalicion – janë duke i bashkërenduar planet e tyre, por u nevojiten amerikanët për t’ia hapur rrugën ndonjë lëvizjeje. Ajo i tha BBC-së se asgjë nuk do të ndodhë këtë javë.

“Nuk ka të bëjë me orë apo ditë. Ne nuk mund të lëvizim, nëse qielli mbi ne nuk është i pastruar. Ne duhet t’i shohim depot e armëve [të forcave iraniane] duke u shkatërruar. Në të kundërtën, kjo do të ishte vetëvrasje” – shtoi Pana.

Ajo gjithashtu bëri thirrje për shpalljen e një zone ku ndalohen fluturimet në mënyrë që forcat kurde të jenë të mbrojtura.

“Regjimi [iranian] është shumë brutal dhe arma më e avancuar që ne e kemi është Kalashnikovi” – tha më tej Pana.

Ditëve të fundit janë shtuar spekulimet se Trumpi dëshiron që forcat kurde të bëhen pjesë e luftës. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka mohuar një raport ku thuhej se presidenti po e shqyrton armatosjen e këtyre grupeve./Nacionale

Lajme të ngjashme