Irani thotë se do t’i përdorë “të gjitha mjetet në dispozicion” për t’iu kundërpërgjigjur Izraelit - NACIONALE

Irani thotë se do t’i përdorë “të gjitha mjetet në dispozicion” për t’iu kundërpërgjigjur Izraelit

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Teherani do t’i “përdorë të gjitha mjetet në dispozicion” për t’u kundërpërgjigjur ndaj sulmit izraelit të fundjavës ndaj caqeve ushtarake në Iran, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmael Baghaei.

Irani më parë e kishte minimizuar sulmin ajror të Izraelit të shtunën, duke thënë se veprimi kishte shkaktuar vetëm dëme të kufizuara, ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden, bëri thirrje për ndërprerje të përshkallëzimit që ka shkaktuar frikë për konflikt të plotë në Lindje të Mesme, raporton agjencia “Reuters”.

Duke folur në një konferencë javore për gazetarë, Baghaei tha: “[Irani] do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për t’i dhënë një kundërpërgjigje të qartë dhe efikase regjimit zionist [Izraelit].”

Ai shtoi se natyra e kundërpërgjigjes së Iranit varet nga natyra e sulmit izraelit, por nuk dha hollësi.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të dielën se zyrtarët iranianë duhet të përcaktojnë se si ta dëshmojnë më së miri fuqinë e Iranit para Izraelit, duke shtuar se sulmi izraelit nuk duhet “as të minimizohet, as të zmadhohet”.

Disa aeroplanë luftarakë izraelitë përfunduan tri valë të sulmeve para agimit të shtunën kundër fabrikave të raketave dhe objekteve të tjera afër Teheranit dhe në pjesën perëndimore të Iranit, tha ushtria izraelite.

Dy vendet armike janë përfshirë në një cikël të veprimeve hakmarrëse kundër njëri-tjetrit muajve të fundit. Sulmi i së shtunës erdhi pas një sulmi iranian me raketa më 1 tetor, shumë prej të cilave Izraeli tha se u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Irani e mbështet Hezbollahun, grup që është përfshirë në luftime të ashpra me forcat izraelite në Liban, dhe Hamasin, që është duke luftuar kundër ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës./Nacionale

Lajme të ngjashme