Irani synon që t’i shmangë veprimet ushtarake të ShBA-së me bisedime në Turqi
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, do të udhëtojë për në Ankara të Turqisë me qëllim të parandalimit të një sulmi nga Shtetet e Bashkuara, kur diplomatët turq po mundohen që ta bindin Teheranin se duhet të ofrojë lëshime rreth programit të vet bërthamor, nëse dëshiron që t’i shmanget një konflikti që mund të jetë shkatërrues.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdoan, propozoi një video-konferencë mes Donald Trumpit dhe homologut të tij iranian, Masoud Pezeshkian – lloj i diplomacisë së nivelit të lartë që mund t’i pëlqejë presidentit amerikan, por një gjë e tillë do të ishte e padëshiruar nga diplomatët e rezervuar iranianë. Bisedime formale mes dy shteteve nuk janë mbajtur qe një dekadë, shkruan gazeta “The Guardian”.
Vizita e kryediplomatit iranian të premten vjen në kohën e diplomacisë urgjente ndërkombëtare dhe kërcënimeve gjithnjë më agresive nga të dyja palët. Zyrtarë të lartë të mbrojtjes dhe të inteligjencës nga Izraeli dhe Arabia Saudite ndodhen në Uashington për bisedime rreth Iranit këtë javë, raportoi të enjten mediumi amerikan, “Axios”.
Trumpi e ka paralajmëruar Iranin se koha po harxhohet për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore, duke u zotuar se një sulm i ri do të ishte më i dhunshëm dhe më i gjerë se ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë.
Irani ka qëndruar këmbëngulës. Komandanti i ushtrisë iraniane, Gjeneral Major Amir Hatami, ka njoftuar se që nga lufta 12-ditore me Izraelin në qershor, Irani i ka rishikuar taktikat dhe ka prodhuar 1.000 dronë tokësore e detarë. Sipas tij, dronët dhe arsenali iranian i raketave balistike mund të ofrojnë një shtypje shkatërruese ndaj çfarëdo sulmi. Sidoqoftë, dobësia më e madhe e Iranit është mbrojtja ajrore.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha të mërkurën se rreth 30 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak amerikan ndodhen “brenda rrezes së mijëra dronëve njëdrejtimësh iranian dhe raketave balistike iraniane me rreze të shkurtër veprimi”.
Një zyrtar i lartë iranian i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se vendi i tij “po e përgatit veten për një ballafaqim ushtarak, e në të njëjtën kohë po i shfrytëzon edhe kanalet diplomatike”.
Rusia u ka bërë thirrje të dyja palëve që të pranojnë se ende ka kohë për diplomaci, por Turqia duket se e ka marrë rolin e ndërmjetëses kryesore për të parandaluar një konflikt që do të mund të përhapej lehtë në mbarë rajonin./Nacionale