Irani instalon kamera në vende publike për t’i identifikuar dhe ndëshkuar gratë pa shami
Autoritetet iraniane po instalojnë kamera në vende publike dhe në rrugë për t’i identifikuar dhe ndëshkuar gratë që nuk kanë vendosur shami në kokë, njoftoi të shtunën policia iraniane.
Pasi të jenë identifikuar, shkelëset do të pranojnë porosi paralajmëruese për pasojat, thuhet në një deklaratë të policisë.
Qëllimi i këtij veprimi është “parandalimi i rezistencës kundër ligjit të hixhabit”- tha policia, duke shtuar se rezistenca e tillë e njollos imazhin shpirtëror të vendit dhe e përhap pasigurinë, raporton agjencia “Reuters”.
Një numër në rritje i grave iraniane i kanë hequr shamitë që nga vdekja e një gruaje 22-vjeçare në ndalim policor të policisë së moralit në shtatorin e vitit të kaluar. Mahsa Amini ishte ndaluar nën dyshimin se e kishte shkelur ligjin e hixhabit. Forcat e sigurisë e kanë shtypur revoltën me dhunë.
Prapëseprapë, duke rrezikuar që të arrestohen për mohimin e kodit të detyrueshëm të veshjes, një pjesë e grave ende shihen pa shami në qendra tregtare, restorante, dyqane e rrugë në pjesë të ndryshme të vendit. Videot e grave pa shami duke i rezistuar policisë së moralin i kanë vërshuar rrjetet sociale.
Në deklaratën e policisë të shtunën u bëhet thirrje pronarëve të bizneseve që “seriozisht ta vëzhgojnë zbatimin e normave shoqërore me inspektimet e tyre të zellshme”.
Sipas ligjit të sheriatit në Iran, të futur në fuqi pas revolucionit të vitit 1979, gratë janë të detyruara që t’i mbulojnë flokët dhe të veshin rroba të gjata e të gjera për ta mbuluar formën e trupit. Shkelëset janë ballafaquar me qortim publik, gjoba ose arrestim.
Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje qytetarëve që të ballafaqohen me gratë e pambuluara. Udhëzime të tilla në të kaluarën u kanë dhënë guxim disa njerëzve që të sulmojnë gra.
Javën e kaluar, në një video shihet një burrë duke u hedhur jogurt dy grave të pambuluara në një dyqan.
