Irani dhe ShBA-ja e lejuan kalimin e superjahtit rus nëpër Hormuz, sipas një burimi - NACIONALE

Irani dhe ShBA-ja e lejuan kalimin e superjahtit rus nëpër Hormuz, sipas një burimi

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Një superjaht që është në pronësi të miliarderit rus, Alexey Mordashov, ia doli që të kalonte transpit nëpër Ngushticën e bllokuar të Hormuzit, pasi i ishte nënshtruar mirëmbajtjes në Dubai, sepse as Irani, as Shtetet e Bashkuara nuk paraqitën ndonjë ankesë, tha të martën një burim i afërt me Mordashovin.

Ka qenë e paqartë se si superjahti me shumë kate, me vlerë të më shumë se 500 milionë dollarëve, mori leje për të lundruar të shtunën nëpër rrugën e rëndësishme ujore që është në zemër të konfliktit ShBA – Iran, ku lundrimi është kufizuar rëndë që nga muaji shkurt, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Duke lundruar nën flamurin rus, jahti i quajtur “Nord” kaloi nëpër Ngushticën e Hormuzit nëpër një rrugë ujore të miratuar, në pajtim me të drejtën detare ndërkombëtare, tha burimi.

“Irani nuk ndërhyri në lëvizjen e jahtit, pasi ai është anije civile e një vendi mik që po kryente kalim transit paqësor. As pala amerikane nuk ngriti pyetje në lidhje me lëvizjen e jahtit, pasi ai nuk u lajmërua në porte iraniane dhe nuk ka lidhje me Iranin” – tha burimi.

Vetëm pak anije, kryesisht tregtare, kanë arritur që të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit në kohën e një armëpushimi mes Uashingtonit e Iranit. Para se të fillonte lufta më 28 shkurt, nëpër këtë rrugë ujore kalonin mes 125 e 140 anije.

Pasi e kaloi Ngushticën e Hormuzit, jahti “Nord” është lokalizuar afër bregdetit të Omanit nga e diela, sipas ofruesit të të dhënave, LSEG.

Lajme të ngjashme