Iraku reagon pas sulmit të ShBA-së, përgatitet që ta mbyllë misionin e koalicionit ndërkombëtar - NACIONALE

Iraku reagon pas sulmit të ShBA-së, përgatitet që ta mbyllë misionin e koalicionit ndërkombëtar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Irakut do të formojë një komision për ta përgatitur mbylljen e misionit të një koalicioni ndërkombëtar të udhëhequr nga ShBA-ja në këtë shtet, tha të premten zyra e kryeministrit Mohammed Shia al-Sudani.

Deklarata e tij erdhi një ditë pas vrasjes së një udhëheqësi militantësh në Bagdad nga ShBA-ja përmes një sulmi ajror, duke nxitur zemërim në mesin e grupeve të lidhura me Iranin, të cilat kërkuan që autoritetet t’i jepnin fund pranisë së këtij koalicioni në Irak, raporton agjencia “Reuters”.

“Qeveria do ta caktojë datën e fillimit të një komisioni dypalësh për të organizuar rregullime për t’i dhënë fund pranisë së forcave të koalicionit ndërkombëtar në Irak në mënyrë të përhershme”- thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit.

Një zyrtar qeveritar tha se në komision do të përfshihen përfaqësues të koalicionit ushtarak.

Të enjten, ushtria amerikane kreu një sulm si hakmarrje kundër sulmeve të fundit ndaj personelit të ShBA-së, tha Pentagoni.

Grupet militante të lidhura me Iranin në Irak dhe Siri e kundërshtojnë fushatën e Izraelit në Gaza dhe ShBA-në e cilësojnë pjesërisht përgjegjëse për operacionet izraelite.

Kryeministri Sudani ka kontroll të kufizuar mbi disa grupe të përkrahura nga Irani, për mbështetjen e të cilave pati nevojë para një viti për ta fituar pushtetin dhe të cilat tani përbëjnë një bllok të fuqishëm në koalicionin e tij qeveritar.

“Ne e theksojmë pozicionin tonë të vendosur për përfundimin e ekzistencës së koalicionit ndërkombëtar, pasi justifikimet e ekzistencës së tij kanë përfunduar”- citohet të ketë thënë Sudani në deklaratë.

Lajme të ngjashme