Iowa e ShBA-së e ndalon abortin pas shenjës së parë të zemrës së frytit
Ligjvënësit shtetërorë në Iowa të Shteteve të Bashkuara të martën në mbrëmje i ndaluan shumicën e aborteve pas rreth gjashtë javësh të fillimit të shtatzënisë, kohë para së cilës shumica e grave dhe vajzave nuk e dinë se janë shtatzëna.
Ligjvënësit e Partisë Republikane, të cilët e kanë shumicën edhe në Dhomën shtetërore të Përfaqësuesve, edhe në Senatin shtetëror, e miratuan projektligjin për ndalimin e abortit, pasi guvernatorja Kim Reynolds thirri një seancë të posaçme për ta kërkuar votimin e tij, raporton gazeta “The Guardian”.
Projektligji u miratua me përkrahjen ekskluzive të ligjvënësve republikanë gjatë një hovi të rrallë njëditor legjislativ, i cili zgjati për më shumë se 14 orë.
Rregullat e reja do të hyjnë menjëherë në fuqi pas nënshkrimit nga guvernatorja të premten dhe me to do të ndalohen abortet pas shenjës së parë të aktivitetit kardiak – që zakonisht ndodh pas rreth gjashtë javëve të fillimit të shtatzënisë, me disa përjashtime për rastet e dhunimit seksual dhe incestit. Do të lejohen abortet deri në javën e 20-të të shtatzënisë në kushte të caktuara të urgjencës mjekësore. Më parë, abortet në këtë shtet lejoheshin deri në javën e 20-të të shtatzënisë.
Këto masa janë pjesë e një vargu ligjesh kundër abortit që janë miratuar në disa shtete të ShBA-së që nga rrëzimi i rastit të njohur si Roe v Wade nga Gjykata Supreme vitin e kaluar, duke i dhënë fund të drejtës kushtetuese federale për abort. Disa shtete amerikane, përfshirë disa që shtrihen në jug të ShBA-së, kanë miratuar ndalim të plotë të abortit pa përjashtime për rastet e dhunimit seksual apo incestit.
Disa përgatitje tashmë kishin filluar për të paraqitur shpejt ankesa ligjore në gjykata për ta bllokuar legjislacionin e ri, porsa guvernatorja Reynolds ta nënshkruajë atë për ta shndërruar në ligj.
