DeSantis e nënshkruan ligjin për ndalimin e abortit pas javës së gjashtë në Florida
Legjislatura me shumicë republikane në Florida të ShBA-së të enjten e miratoi ndalimin e abortit pas javës së gjashtë të shtatzënisë, propozim i përkrahur edhe nga guvernatori Ron DeStantis, i cili po përgatitet për të garuar për president të ShBA-së.
Pas votimit nga deputetët, ligji u nënshkrua edhe nga guvernatori. “Ne jemi krenar që i përkrahim jetën dhe familjen në shtetin e Floridas”- tha guvernatori në një deklaratë. Deri më tani, aborti në këtë shtet amerikan ndalohej pas javës së 15-të të shtatzënisë.
Ky ligj do t’i japë DeSantis-it fitore kyçe politike në mesin e votuesve të Partisë Republikane, përderisa ai po përgatitet për ta shpallur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale, raporton gazeta “The Guardian”.
Kjo politikë pritet të shkaktojë pengesa më të gjera për qasjen në abort në pjesën jugore të ShBA-së pas vendimit të Gjykatës Supreme të ShBA-së vitin e kaluar për rrëzimin e një rasti që ishte pikë referimi për të drejtën e abortit, duke ua lënë në duar shteteve vendimet për këtë çështje.
Alabama, Louisiana dhe Misisipi e kanë ndaluar abortin në të gjitha fazat e shtatzënisë, ndërsa në Georgia ndalohet pas vërejtjes së aktivitetit të zemrës së frytit, që mund të shfaqet rreth javës së gjashtë të shtatzënisë.
“Ne e kemi mundësinë që ta udhëheqim debatin kombëtar për rëndësinë e mbrojtjes së jetës dhe t’ia japim secilit fëmijë mundësinë për t’u lindur dhe për ta gjetur qëllimin e vet”- tha përfaqësuesja republikane, Jenna Persons-Mulicka.
Ndalimi i abortit pas javës së gjashtë do të hyjë në fuqi, vetëm nëse ndalimi i tanishëm pas javës së 15-të mbahet në fuqi në një luftë ligjore që po zhvillohet në Gjykatën Supreme të Floridas, e cila kontrollohet nga konservatorët.
Demokratët dhe grupet për të drejtën e abortit e kanë kritikuar këtë masë, duke e cilësuar si ekstreme, sepse shumë gra ende nuk dinë se janë shtatzënë deri pas javës së gjashtë të shtatzënisë.
