Inteligjenca e Koresë Jugore: Vajza e Kimit pritet të jetë trashëgimtare e pushtetit në Kore Veriore - NACIONALE

Inteligjenca e Koresë Jugore: Vajza e Kimit pritet të jetë trashëgimtare e pushtetit në Kore Veriore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një vajzë e re e udhëheqësit të Koresë Veriore, Kim Jong-un, shihet si trashëgimtare e pushtetit të babait, sipas agjencisë së inteligjencës të Koresë Jugore.

Jashtë vendit të izoluar ka pasur debate e spekulime të shumta për vajzën e quajtur Kim Ju-ae, për të cilën thuhet se është rreth 10 vjeçe, që nga paraqitja e saj e parë publike në nëntor të vitit 2022, kur bashkë me babanë e kishte shikuar testimin e një rakete me rreze të gjatë, raporton gazeta “The Guardian”.

Nga ajo kohë, vajza e ka shoqëruar Kimin në ngjarje të rëndësishme publike. Mediat shtetërore të Koresë së Veriut e kanë quajtur atë fëmijën “më të dashur e më të respektuar” dhe kanë publikuar video e fotografi që e dëshmojnë pozitën politike në ngritje të vajzës dhe afërsinë e saj me prindin.

Agjencia kryesore e spiunazhit e Koresë Jugore, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës, e ka bërë vlerësimin për rolin e vajzës në të ardhmen duke cituar një analizë gjithëpërfshirëse të aktiviteteve publike të fëmijës dhe protokolleve shtetërore që i janë ofruar bijës së Kimit.

Një gjeneral i lartë u përkul dhe i pëshpëriti diçka te veshi vajzës, kur ajo po duartrokiste duke shikuar një paradë ushtarake në zonën VIP në shtator. Vajza u fotografua duke qëndruar përballë babait gjatë një vizite në selinë qendrore të forcave ajrore në nëntor. Të dy kishin veshur pallto të gjata lëkure e kishin vënë syze kundër diellit. Gjatë festimit të Vitit të Ri të dielën në një stadium të mbushur me njerëz, Kim Jong-uni e puthi vajzën në faqe dhe ajo veproi njëjtë me të.

Shumica e këtyre skenave kishin qenë të paimagjinueshme në Kore Veriore, ku Kimi është subjekt i besnikërisë së fuqishme.

Vlerësimi i vendit fqinj për pasardhësen e mundshme të Kimit në pushtet u bë në kohën e ngritjes së tensioneve në rajon, pasi Koreja Veriore hodhi mbi 200 predha artilerie afër ishujve të Koresë Jugore. Në njërin prej tyre është lëshuar urdhër evakuimi për banorët.

Gazeta Nacionale raportoi më herët të premten për këtë zhvillim. Për ta lexuar artikullin, klikoni KËTU.

Lajme të ngjashme