Koreja Veriore hedh qindra predha drejt një ishulli të Koresë Jugore, jepet paralajmërim për evakuim - NACIONALE

Koreja Veriore hedh qindra predha drejt një ishulli të Koresë Jugore, jepet paralajmërim për evakuim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Koreja Veriore ka hedhur më shumë se 200 valë të predhave të artilerisë nga bregdeti i saj perëndimor, drejt ishullit Yeonpyeong të Koresë Jugore, ka thënë ushtria në Seul.

Koreja Jugore menjëherë lëshoi një paralajmërim për evakuim për civilët në ishull, por ende nuk ka konfirmuar nëse kjo masë është e ndërlidhur me hedhjen e predhave nga vendi fqinj, raporton televizioni BBC.

Seuli e ka dënuar këtë veprim, duke e quajtur “akt provokues”.

Më 2010, forcat e artilerisë të Koresë Veriore kishin shkrepur zjarr shumë herë drejt ishullit Yeonpyeong, duke vrarë katër njerëz.

Predhat e artilerisë që u hodhën të premten, mes orës 9 dhe 11 të paradites sipas kohës lokale, nuk hynë në territorin e Koresë Jugore, sepse të gjitha ranë në një zonë neutrale mes dy vendeve.

Shtabi i Përgjithshëm i Koresë Jugore tha se incidenti “nuk shkaktoi dëm ndaj popullit ose ushtrisë sonë”, por shtoi se ky veprim “e rrezikon paqen në Gadishullin Korean dhe i rrit tensionet”.

Hedhja e predhave vjen pas paralajmërimeve nga Penjani se do ta fuqizojë arsenalin ushtarak si përgatitje për një luftë që “do të mund të shpërthejë në çfarëdo kohe”.

Autoritetet në ishullin tjetër të afërt, Baengnyeong, gjithashtu lëshuan një urdhër evakuimi atje.

Incidenti i ri vjen disa muaj pasi Koreja Veriore pezulloi plotësisht një pakt ushtarak me Korenë Jugore, qëllimi i të cilit ishte përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Më pas, Penjani kishte thënë se do t’i tërhiqte të gjitha masat “që ishin marrë për ta parandaluar konfliktin ushtarak në të gjitha sferat, përfshirë tokën, detin dhe ajrin” dhe se do të dislokonte “më shumë forca të armatosura të fuqishme e pajisje ushtarake të llojit të ri” në rajonin kufitar.

Megjithatë, Koreja Veriore e kishte shkelur paktin shumë herë edhe në dy vitet paraprake, duke hedhur raketa e predha artilerie në det në drejtim të Koresë Jugore.

Ishulli Yeonpyeong, ku banon një popullsi e vogël civile prej rreth dy mijë njerëzish e ku ndodhet një bazë ushtarake, shtrihet vetëm tri kilometra larg kufirit të kontestuar detar në Detin e Verdhë dhe 12 kilometra larg bregdetit të Koresë Veriore.

Ky ishull ka qenë skenë e përleshjeve detare ndërkoreane ndër vite. Më 2010, dy ushtarë e dy civilë ishin vrarë, pasi Koreja Veriore kishte hedhur dhjetëra predha artilerie drejt ishullit.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme