Inteligjenca Artificiale “mund të ndihmojë në planifikim të sulmeve me armë biologjike” - NACIONALE

Inteligjenca Artificiale “mund të ndihmojë në planifikim të sulmeve me armë biologjike”

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Sipas një studimi të fundit nga një institut amerikan, “chatbotët” e Inteligjencës Artificiale mund të ndihmojnë për planifikim të sulmeve me armë biologjike.

The Guardian shkruan se Korporata Rand ka publikuar një raport ku tregohet se janë testuar disa modele të mëdha gjuhësore (LLM) dhe është zbuluar se ato mund të ofrojnë udhëzime që “mund të ndihmojnë në planifikimin dhe ekzekutimin e një sulmi biologjik”.

Megjithatë, disa zbulime të mëhershme kanë treguar se modelet gjuhësore nuk kanë gjeneruar udhëzime të qarta për krijimin e armëve biologjike.

Në raport po ashtu tregohet se ndërsa më herët kanë dështuar përpjekjet për përdorim të toksinës botulinum, për shkak se ka pasur mungesë të së kuptuarit të bakterit, tani thuhet se Inteligjenca Artificiale mund “të kapërcejë me shpejtësi boshllëqe të tilla të njohurive”.

The Guardian raporton poashtu se në muajin korrik, Dario Amodei, CEO i kompanisë Al Anthropic, ka paralajmëruar se sistemet e AI mund të ndihmojnë në krijim të armëve biologjike brenda dy deri në tre vjet.

Këto sisteme, pra modelet gjuhësore të AI janë të zhvilluara në mënyrë të tillë që mund të marrin sasi të mëdha të dhënash nga interneti, duke u bërë kështu një teknologji thelbësore pas chatbotë-ve si ChatGPT.

Bëhet e ditur se Rand, po ashtu ka hartuar një skenar testimi, ku modelet gjuhësore kanë identifikuar agjentë të mundshëm biologjikë – përfshirë të tillë që shkaktojnë lisë, antrak dhe murtajë – ndërsa është diskutuar edhe për mundësinë që këta agjentë kanë për të shkaktuar vdekje masive.

Ajo që duket se është më shqetësuese është fakti që studiuesit nga Rand e kanë pranuar se nxjerrja e këtyre informacioneve nga modelet gjuhësore të AI, anashkalojnë kufizimet e sigurisë së një “chatboti”.

Në një skenar tjetër, raportohet se një model tjetër gjuhësor ka diskutuar edhe për të mirat e të këqijat e mekanizmave të ndryshëm të shpërndarjes për toksinën botulinum – e cila mund të shkaktojë dëmtime nervore fatale – të tilla si ushqimi ose aerosolet.

Mbështetur nga kjo studiuesit kanë treguar se modelet gjuhësore të AI potencialisht “mund të ndihmojnë në planifikim të një sulmi biologjik”, megjithatë ata kanë shtuar se në një raport përfundimtar do të shqyrtohej nëse përgjigjet thjeshtë ishin duke pasqyruar informacion që tashmë ishte ekzistent në internet, apo ishin të gjeneruara.

E ndërkohë që armët biologjike janë ndër kërcënimet më serioze që lidhen me Inteligjencën Artificiale, ato do të diskutohen në samitin flobal të sigurisë së AI, që do të mbahet muajin e ardhshëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Lajme të ngjashme